Alfred Cako nxjerr sekretin e SPAK: As Rama as Berisha, ja kush do qeverise Shqiperine

Shqipëria po kalon në një fazë kritike, ku drejtësia dhe pushteti janë bërë objekte të një lufte të vërtetë, të maskuar si një përpjekje për të luftuar korrupsionin. Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako, zbulon një realitet të errët dhe të thellë, teksa sipas tij, lufta për kontrollin e SPAK-ut është gjithnjë e më shumë një betejë për pushtet dhe jo për drejtësi.

Në një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Cako i bën thirrje qytetarëve të kuptojnë se kjo luftë nuk është vetëm mes partive politike, por mes dyshes Rama-Berisha dhe një “Deep State” që po tenton të shtrijë kontrollin mbi të gjithë jetën politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Në zemër të kësaj beteje është SPAK, një mekanizëm që, sipas Cakos, është bërë një mjet i pasivizuar për të kontrolluar dhe shfrytëzuar një sistem që ka shpresuar të pastrohet.

Lufta për drejtësinë nuk është ashtu siç paraqitet në media, si një betejë për të luftuar korrupsionin, por është një përpjekje për të menaxhuar dhe kontrolluar fuqinë e drejtësisë, që ndikon jo vetëm në politikat e brendshme, por dhe në lidhjet ndërkombëtare të vendit. Ndërkohë Alfred Cako, i cili është mendimtar dhe analist i njohur, i hedh dritë një realiteti të padukshëm, ku në thelb, lufta kundër korrupsionit është vetëm një mjet për të ndihmuar në forcimin e ndikimit të fuqive perëndimore, përmes një kontrolli të sofistikuar mbi ekonominë dhe politikat e brendshme të Shqipërisë.

Përmes kësaj analize, Cako paralajmëron për një të ardhme të pasigurt, ku ndryshimet e thella në strukturën e pushtetit mund të sjellin pasiguri dhe pasoja të paimagjinueshme për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e vendit.

Ja reagimi i zoti Cako për gazetën “SOT”

Shiko, ka një luftë mes Deep State dhe dyshes Rama-Berisha për të kontrolluar drejtësinë në Shqipëri. Zgjatimi i Deep State tek ne, SPAKU, lufton që Qeveria Botërore ta kontrollojë gjithë jetën e vendit tonë, politike, ekonomike e financiare nëpërmjet pushtetit të tretë, Drejtësisë. Kjo bëhet në emër të luftës kundër korrupsionit që për ndërkombëtarët përdoret si Lufta e Klasave nga komunistët e PPSH dhe bolshevikët në gjithë Lindjen e Perdes së Hekurt. Lufta kundër Korrupsionit nuk bëhet për të mirën e popullit por për të mos lejuar krijimin e një klase të fuqishme aristokratike në vendet e vogla.

Duket sikur shtetet politike properëndimore funksionojnë mbi zgjedhje demokratike dhe këto shtete gjoja përfaqësojnë vullnetin e shumicës në vendimmarrjet e tyre me organet përfaqësuese kushtetuese. Në fakt qeveritë zgjidhen vertikalisht, nga instrumentat e Qeverisë Botërore që janë qeveritë e shteteve të tilla si angloamerikanët dhe BE.

Pra lufta për të kontrolluar drejtësinë është një rebelim edhe ndaj sistemit pasi klasa politike shqiptare kërkon sinarki dhe jo demokraci në aparencë. Sinarki si modeli politik grek ku të dy krahët, pozitë opozitë, kontrollohen nga pak familje prej 2 shekujsh. Ky model krijon një sistem ku ndërkombëtarët nuk sundojnë por negociojnë me aristokracinë vendore dhe shoqëria përfiton më shumë.

Korrupsioni

Politika dhe klasa politike, nëse sjellin zhvillim e prosperitet, sigurisht që ato do marrin kontributin e tyre. Klasa politike nuk është makineri perpetum mobile dhe me kosto zero. Ajo funksionon mbi kosto-përfitim. Vendet me institucione të konsoliduara i kanë kostot e politikës (ose kostot e korrupsionit) më të ulta, por nuk i kanë kurrsesi zero. Një ekonomi që rritet natyrisht që rritet edhe nga aftësia e institucioneve që drejtohen nga klasa politike, e cila sigurisht që në çdo vend shpërblehet me anë të mekanizmave të korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit nga ndërkombëtarët do të thotë luftë kundër klasës politike dhe më tej luftë kundër efikasitetit të institucioneve dhe zhvillimit ekonomik.

Në USA korrupsioni është i ligjëruar me anë të donacioneve për partitë politike e individët që garojnë në pushtet qendror e lokal. Pastaj ata që qeverisin e shtrijnë korrupsionin përveç se në USA edhe në vendet e tjera, siç është rasti i McGonigal në Ballkan. Por kur korrupsioni është i lartë dhe ndal zhvillimin nga raporti negativ kosto-zhvillim, atëherë korrupsioni është shkatërrues.

Në Shqipëri ka pasur zhvillim relativ dhe paaftësi, krahinarizëm e nepotizëm në administratën e lartë, çka afruar korrupsionin në nivele pranë ndalimit të zhvillimit duke larguar shqiptarët nga vendi për të rritur të ardhurën kombëtare nëpërmjet remitancave. Ky fenomen, nëse do ulet e frenohet, atëhere raporti kosto nga korrupsioni i klasës politike – zhvillim i ekonomisë e frenim i emigracionit do të jetë në favor të zhvillimit. Këto gjëra nuk kuptohen mirë nga analistët por janë reale. Lexoni Drajzerin me disa triptike si Financieri të kuptoni funksionimin e këtyre ingranazheve që ose të çojnë para ose mbrapa sipas raporteve që shpjeguam. SPAK duke luftuar klasën politike do ndalë zhvillimin ekonomik e financiar të vendit dhe do rrisë korrupsionin e biznesit ndërkombëtar. Sigurisht që SPAK mund të ndalojë ekzagjerimin e korrupsionit të brendshëm duke goditur nivelet e dyta qeverisëse dhe rritjen e ekzagjeruar të kostove të saj në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Një detyrë tjetër e nderuar kushtetuese e SPAK është goditja e botës së Hadesit apo Plutonit, botës së krimit të organizuar.

Dekorimi i kreut të SPAK Altin Dumani nga SHBA

Për sa i përket dekoratës së Dumanit nga Sekretari i Shtetit Blinken, kjo ishte një tregues i hapur që SPAK është një mekanizëm i Deep State-t botëror dhe USA është një prej qendrave kryesore perandorake të pushtetit perëndimor .

Nëse Shqipëria dhe SPAK do të ishin vend dhe institucion sovran, nuk duhet ta kishte lejuar këtë veprim sfidues e sharlatan. Njerëzit nuk e kuptojnë se politika si biznes do edhe ajo normën e vet të fitimit që quhet ‘korrupsion’ dhe që si çdo fitim ka luhatjet e veta sipas traditës dhe institucioneve. Deep State është institucioni tatimor ilegal që kërkon ti tatojë mbi fitimin. Organi i tyre tatimor është tek ne SPAK-u. Klasa politike shqiptare nuk do të tatohet ose do të ulë përqindjen. Për këtë bëhet lufta e cila nga të dy krahët kamuflohet si luftë për të forcuar demokracinë.