Shteti Bektashi në Tiranë/ Sonila Meco i nxjerr sekretet Ramës: Ja cfare duan te arrijne

Sonila Meço këtë radhë, i është kundërvënë Edi Ramës si besimtare bektashie, por edhe si stërmbesë e kryegjyshit. Madje, edhe si studiuese e rregullt e fesë bektashie.

Ja çfarë shkruan ajo:

Prej dje kërkoj të kuptoj, jo prej burimeve pranë kryeministrit (kësaj here nuk shoh asnjë arsye e mosarsye ta bëj dhe do ta shpjegoj pse), por pranë atyre të vendim-marrësve pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe e kam të pamundur të arrij një përfundim mbi idenë jo vetëm absurde, por edhe të rrezikshme e fyese mbi shpalljen e Republikës Sovrane të Urdhërit Bektashi brenda territorit të Shqipërisë.

Si bektashiane e përkushtuar prej besimit të trashëguar nga im atë (ndjesë pastë), si stërmbesë e Kryegjyshit Botëror Bektashian Baba Kamber Prishta (Meço), si studiuese e rregullt e literaturës historiko-fetare dua t’i sjell në vëmendje publikut çfarë faktet, devotshmëria, sakrifica dhe durimi kanë gërmëzuar pakundërshtueshëm në kushtetutën shpirtërore e historinë shekullore të bektashizmës: atdhedashurinë.

Ejani me mua të ripërshkruajmë galerinë e përkatësisë atdhetare me një dashuri mistike thuajse si ajo për Zotin edhe për Shqipërinë dhe më pas gjykoni vetë se çfarë emri t’i vini citimeve të kryeministrit shqiptar në prestigjozen amerikane New York Times. Dhe duhet ta gjykoni, t’i vini emër, sepse të guxosh të prekësh “palcën kurrizore” të një organizmi të gjallë e të përkorë si bektashizmi për ta “paralizuar” e më pas përdorur për qëllime okulte, atë, që Zoti i ka urdhëruar themeluesve të Bektashizmës e bekuar ndjekësve të saj është krim në mes të ditës ndaj lirisë së besimit.

Faktet im Zot, faktet:

Bektash Veliu në shekullin e trembëdhjetë krijoi këtë rrymë fetarë në Turqi. Asokohe ai pat deklaruar “Nuk ka asnjë dallim gjinor në debate. Gjithçka që ka krijuar Perëndia është aty. Nuk ka dallim midis burrit dhe gruas. Hendeku është në opinionet e tua”.

UNESCO është shprehur mbi të. Në faqen e internetit, institucioni i OKB-së deklaron se “Fjalët e filozofit Haxhi Bektash Veliut, nga shekulli i trembëdhjetë janë një mesazh që tetë shekuj më vonë, përkon me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të miratuar nga OKB-ja në vitin 1948”.

Rrënjët e urdhrit bektashian në Shqipëri datojnë prej më shumë se 8 shekujsh, atëherë kur misionari Sari Salltik erdhi në malin e Krujës dhe kontribuoi me veprën e tij në gjithë territorin e Shqipërisë dhe Ballkanit. Bektashizmi adhuron dhe respekton urdhëresat dhe veprimtaritë islame. Baza e tij është Kurani. Sot, qendra botërore e bektashinjve gjendet në Shqipëri.

Thënë këto, arsyet pse një Republikë Sovrane e këtij Urdhëri brenda Shqipërisë është kundër çdo parimi të vetë tarikatit e se kurrë një bektashi i devotshëm nuk do ta promovonte si id, i jep vetë qëllimi i ekzistencës së Urdhërit dhe mbijetesës së tij: Në Shqipëri, tarikati Bektashi përshkohet kryekëput nga damari patriotik dhe atdhetar. Ky urdhër u njehsua me Rilindjen Kombëtare dhe liderët shpirtërorë të tij u bënë aktivistë të shquar në lëvizjet shqiptare për vetëvendosje dhe autonomi kombëtare, duke vendosur rrënjët në identitetin kulturor për të mbrojtur Shqipërinë e bashkuar.

Lufta e Parë botërore do të qe vrastare për Urdhërin Bektashi. 80% e teqeve në Shqipëri u dëmtuan e shkatërruan tërësisht. Por një energji e jashtëzakonshme, angazhim e përkushtim në kufijtë e të pabesueshmes e rigjallëruan prej gërmadhash tempullin bektashi. Në vitin 1920, komuniteti bektashian në Shqipëri u përfaqësua me Aqif Pashë Biçakun, në Këshillin e Lartë të Regjencës, që qeveriste Shqipërinë gjatë mungesës së Princ Vidit. Ky këshill përbëhej nga 4 përfaqësues për çdo bashkësi fetare.

Kongresi i Parë Kombëtar i Bektashinjve, që u mbajt në teqenë e Prishtës dhe kryesohej nga Baba Ahmet Turani, u krenua me faktin se qe komuniteti i parë fetar i Shqipërisë që u çlirua nga kontrolli i huaj. Kongresi i Dytë Kombëtar i Bektashinjve u zhvillua në Gjirokastër, në vitin 1924 dhe gjykoi se duhej të zhvendoste selinë në Shqipëri për shkak të klimës politike të Turqisë. Jo vetëm, por u vendos, që ceremonitë fetare të kryheshin në gjuhën shqipe.

Kongresi i Tretë Kombëtar i Bektashinjve u mbajt në teqenë e Turanit më 1929, duke marrë vendimin historik për të dalë si një bashkësi fetare më vete me seli Kryegjyshatën në Tiranë. Bektashinjtë shqiptarë, me mbylljen e urdhërit në Turqi, ftuan Kryegjyshin e Turqisë, Salih Nijazi Dede, shqiptar kolonje, të kthehej në Shqipëri, duke rithemeluar selinë e bektashinjve në Tiranë. Bektashizmi u trondit në kohën e pushtimit fashist. Kryegjyshata u bë qendra e manifestimeve të 28 nëntorit 1939, ku demostruesit antifashistë bashkë me Kryegjyshin u betuan mbi varrin e Naim Frashërit. Por gjithçka kulmoi me vrasjen e Kryegjyshit Sali Njazi Dedej nga italianët, sepse nuk pranoi të përdorej prej tyre, nuk pranoi subvencionet e Italisë dhe mëkoi patriotizmin.

E si të mos mjaftonte, e keqja më e madhe bektashizmës nuk i erdh nga pushtuesi, por komunizmi. Studiuesi Uran Butka dëshmon se: “Komunistët e përçanë dhe e goditën klerin bektashian. Disa krerë të tij u bashkuan me komunizmin, morën pjesë në luftë dhe morën poste të larta dhe grada ushtarake, (kolonelë) në kundërshtim me statusin e sektit bektashian. Përpjekja e tyre ishte t’ia përshtasnin bektashizmin komunizmit dhe ta vinin klerin bektashian në shërbim të regjimit komunist. Ata që nuk iu nënshtruan kësaj politike, u vranë si baba Zylfoja, që u therr në teqenë e Turanit në vitin 1943, baba Murat Frashëri, po më 1943, baba Qamil Gllava, që u pushkatua më 1945, baba Ali Tomorri, baba Bedri Cakrani, baba Shefqet Koshtani, që u pushkatuan më 1948 dhe dhjetra të tjerë që vdiqën burgjeve e internimeve.”

Pra përpjekja atdhetare, njehsimi me Rilindjen Kombëtare, forcimi i identitetit kulturor e shpirtëror ishin motivi ekzistencial i Urdhërit Bektashi. Në ç’ëndërr a zhgjëndërr mund të binin e të pranonin Republikë më vete, kur mbijetesa e stërmundimi i tyre mbanin trarët e një Shqipërie të bërë copë, në çdo rrethanë historike?!

Dhe po vij tek rrënjët e mia:

Baba Kamber Prishta (Meço), para-ardhësi im i nderuar, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, njeriu që i vuri emrin e bekoi tim atë, Tomorrin udhëhiqej nga mësimet e Naim Frashërit, edhe ai bektashi i shquar, që thosh me dorë në zemër: “Bektashinjtë janë vëllezër jo vetëm midis tyre, por edhe me krejt njerëzimin. Ata duan me gjithë shpirt myslimanët e tjerë, të krishterët dhe shkojnë mirë me të gjithë njerëzit. Por mbi çdo gjë, ata dashurojnë atdheun dhe bashkatdhetarët e tyre dhe ky është më i madhi i gjithë virtyteve”. Ku, në ç’vend të trashëgimisë së tyre gjendet “malli” për Republikë Sovrane brenda Shqipërisë? Në ç’orë të zezë a të bardhë kanë lënë qoftë një rresht pëshpërime për ndihmë nga pushteti politik për “Republikë” parajsash fiskale?

Por po eci ca më tej:

Studiuesi Uran Butka dëshmon mbi Kongresin e Turanit (e përmenda më herët) ku sipas tij: “u zhvillua nën kryesinë e baba Kamber Prishtës, që luajti një rol të rëndësishëm si në vendimet mbi bektashizmin, ashtu edhe në hartimin dhe miratimin e statusit të bektashizmit, që përcaktohej qartë si sekt i fesë myslimane. Në statut, veç të tjerash theksohej se klerikët bektashianë duhet të jenë shtetas të Shqipërisë me gjuhë e gjak shqiptari. Në art. 3 thuhet se gjuha zyrtare dhe fetare e sektit është shqipja.”

Ndërsa dokumentari me bashkëautor tim atë, dëshmon me dokumente se si bashkëpunoi fort me Nolin, Konicën e Mid’hat Frashërin dhe korrespondenca e tij me ta, e dokumentuar dëshmon dashurinë për Shqipërinë. Kur mallkueshëm për Shqipërinë ia behu komunizmi, Baba Kamberi qëndroi besnik i fesë bektashiane dhe i atdheut. Ai nuk pranoi të ikte nga Shqipëria si mjaft të tjerë, për t’i shpëtuar “gijotinës” komuniste. A e dini si u gjegj?

“Ne kemi qenë myrshid e rehber dhe unë nuk mund të bëhem edhe i braktisur nga atdheu. Mos e dhëntë Zoti!”.

Dhe e pagoi shtrenjtë, Baba Kamberin e arrestuan më 28 prill 1945, po ashtu edhe baba Mustafa Canaj, menjëherë sapo komunistët morën pushtetin. Pesë muaj në hetusi, tortura dhe poshtërim nga Sigurimi i Shtetit. Më 3 shtator 1945, gjykata ushtarake e Gjirokastrës e dënoi në moshën 72 vjeçare me 15 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtave qytetare e politike, si edhe sekuestrimin e pasurisë. Baba Kamberi refuzoi që të dorëzonte taçin e kokës, me argumentin se feja ishte një gjë dhe politika tjetër. Shuarja i drobitur në qeli në të 80-at e tij pas torturash e denigrimesh është një dhimbje me të cilën bektashinjtë e devotshëm jetojnë ende sot.

Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryegjyshi Botëror pararendës i Shenjtërisë së tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj do të deklaronte: “Dede Kamber Prishta, së bashku me Baba Mustafa Canaj shpalosën shpirtin e madh të patriotit dhe të klerikut bektashian. Ata nuk u përkulën për asnjë çast, sepse besonin që flaka e qiriut të Haxhi Bektash Veliut nuk mund të fikej asnjëherë. Së bashku me mijëra klerikë dhe besimtarë të tjerë bektashianë, ata mbajtën të gjallë në shpirt besimin tek Zoti e tek Atdheu dhe u sakrifikuan për besimin e shenjtë!”.

Ku, në ç’hon të ndërgjegjes a nënvetëdijes së klerikëve të urtë e besimtarëve paska mëtuar të përshkëndrisë ndonjë iskër nazike për Republikë Sovrane të Urdhërit Bektashi? Kur nuk u kujdesën sa duhet pushtetet t’u kthenin toka e prona të trashëguara si tempuj besimi e spiritualizmi, nga e gjetën sot “bujarinë” për “republikën” e pakërkuar? Po në ç’gazep ,Tarikati paska patur paranë e pasaportën qëllim ekzistencial? More edhe në ditën më të zezë a e shihni vetë, që kanë pranuar atdheun para jetës?

Ju duken patetizma, gjasa provinciale të së shkuarës, atavizma të një bote, që nuk i përket me shpirtit falur perëndisë së vetme ku besojnë sot pushtetarët, parasë? Unë ende nuk kam një ide mbi rolin e klerit të lartë Bektashi në këtë nismë, nismë që ka edhe pasoja të rënda gjeopolitike në rajonin e trazuar, por si bektashiane kam të drejtën e përbotshme të them timen nga shpirti. Meqë ka guximin të flasë në emër e për fatin e bektashizmit, duke e shfaqur këtë Urdhër padrejtësisht në mediat ndërkombëtare, si një arrivist materialist e pragmatist, le t’i kujtojmë liderit global, që krekoset në NYT, predikimin e Imam Aliut, tonë, Prijësit të Besimtarëve, dhëndrit të Profetit Muhamed, që me gjasë u druhet kur mbyllet në vetminë e gjumit:

Dashuria ndaj Atdheut është prej Besimit

Profeti Muhamed (a.s.)

“O njeri! Ke lindur i lirë prej nënë dhe babe. Mos u bë rob i askujt!�O Muak’kal, qëndro gjithmonë nën urdhërat e Allahut ! Mos vepro jashtë ligjeve me myslimanët, mos u bëj i padrejtë me jo myslimanët, që janë në besën tonë!�Mos u trego mendjemadh se Allahu nuk i do ata ! �Mbajeni fjalën kur diskutoni, mbani drejtësi kur gjykoni dhe mos u krenoni me prindërit.�Kushdo që u largua nga e Drejta, u rrënua.�Kur shikon të keqen, largohuni prej saj.�Lakmia është një skllavëri e përjetshme.�Shkule të keqen nga kraharori i të tjerëve, duke e shkulur atë nga vetë kraharori yt.

Imam Aliu “Kulme të Fjalës”( Nehxh ul -Belaga)