Personi i tretë në makinën e viktimave të masakrës së Dobraçit, i cili dyshohet të jetë Ibrahim Lici, mund të jetë dërguar për mjekim në zonën e jugut të vendit, pasi grupi hetimor dyshon se ai mbeti i plagosur në shkëmbimin e zjarrit ku u vranë 4 persona, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve që ishin në kohën dhe vendin e gabuar, Bashkim dhe Flutura Basha.
Mbi këto dyshime, policia ka ushtruar kontrolle në klinika private dhe jo vetëm, në qarqet Vlorë dhe Fier, por deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme për gjetjen e “fantazmës”. Burime bëjnë me dije se i treti në makinën “S Class”, i cili i shpëtoi mrekullisht atentatit, të ketë marrë të paktën 2 plumba, për të cilët duhet ndihmë e specializuar mjekësore për t’i hequr.
Kontrollet në klinikat private në Shkodër nuk zbuluan asgjë, çfarë çoi grupin hetimor në zgjerim të kontrollit deri në jug të vendit. 9 ditë pas vrasjes së katërfishtë, policia akoma nuk di të thotë shkencërisht nëse ishte apo jo Ibrahim Lici personi që shfaqet ngjitur me trupin e pajetë të Hamza Licit në vendin e ngjarjes, edhe pse çdo e dhënë tjetër përputhet me të, në një ngjashmëri precize.
Përgjigjet e provave biologjike në vendin e ngjarjes do të saktësojnë dilemën e madhe. Ibrahim Lici është në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, në maj 2022. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës ndërkohë po vijojnë hetimet në mënyrë intensive për zbardhjen e ngjarjes, me pistë kryesore atë të hakmarrjes.