Në rubrikën e sotme të ”Kam një mesazh për ty” në ”E diela shqiptare” u trajtua historia e shqiptarit nga Puka, i cili në fillim të viteve ’90 për shkak të kushteve të vështira ekonomike, iu drejtua rrugëve të emigracionit, herë në Greqi dhe më pas në Itali disa vite më vonë.
Pas dita tentativave të dështuara dhe për shkak të dhunës të ushtarëve grekë, Mark Ndoja hoqi dorë nga emigracioni në tokën greke. Mirëpo fillimet e viteve 2000 e detyruan të largohej sërish, këtë herë për në Itali.
Në studion e emisionit, Marku rrëfeu se e kishte patur të vështirë të punësohej diku. Atij i duhej të udhëtonte me orë të tëra për të shkuar në vende ku mund të kërkonte ndihmë dhe pas shumë tentativash, kishte vendosur të rikthehej në Shqipëri sapo të zbardhte dita tjetër, por gjërat ndryshuan rrënjësisht.
”200 metra pa mbërritur tek vendi ku kërkoja punë më ndalon një motorr tek këmbët. Më thotë “do vish në punë?”. E pashë si i habitur dhe ai më tha sërish “Do vish apo jo apo të shkoj të marr ndonjë tjetër?”. Unë pa e menduar fare i mora kaskën dhe hipa në motorr. Më çoi afër Koloseut ku po ndërtonte një garazh.
Më la aty dhe iku, nuk bisedova fare. Aty ishin dy rumunë, mjeshtra dhe unë bëja ndihmësin e tyre, llaç e pastrime. Pas dy ditësh që mbaroi puna vjen dhe më jep paratë e më përshëndet për të ikur. Mendova që t’i kërkoj punë sërish. Ai më tha që nëse ke nevojë për punë, kam sa të duash.
I thashë që po dhe ai nxorri një letër e më shkruajti adresën e një hoteli duke më thënë që do shkosh aty për të punuar si pjatalarës. Mendova t’i tregoj të vërtetën që unë jam klandestin, pa dokumenta dhe nuk mund të punoja, por ai më thotë që të shkoja gjithsesi. Të nesërmen shkova tek hoteli dhe pashë që ishte një hotel me 5 yje në një zonë ku zakonisht rrinin personat VIP. Më vinte turp të futesha brenda…’’, shtoi Marku.
Ai rrëfeu gjithashtu se nuk e dinte që Masimo, italiani i ftuar në ”Kam një mesazh për ty’’ ishte në të vërtet pronari i hotelit luksoz, vend ky Marku nisi fillimisht punën si pjatalarës për disa kohë. Mirëpo falë punës, ndërshmërisë dhe besnikërisë, ai u kthye pak nga pak në njeriun më të besuar të Masimo-s, i cili nuk nguroi ta bënte pjesë të trashëgimisë së tij të ndarë mes Markut dhe 3 nipërve.
Jo vetëm kaq, por biznesmeni italian kishte qenë i gatshëm ta adoptonte të riun shqiptar në mënyrë që të mos kishte asnjë problem me pjesën e pasurisë, gjë që ishte refuzuar nga Marku. Megjithatë ai do të jetë trashëgimtar i ¼ së pasurisë.
Pra, ndonjëherë një mik është thesar edhe në kuptimin e parë të fjalës.