Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që u shënua pak ditë në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën katër persona, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.
Siç dhe kemi bërë me dije më herët automjeti i cili u përdor nga atentatorët është vjedhur disa muaj më parë në qytetin e Durrësit. Pikërish mjeti i vjedhur prej disa ditësh qarkullonte qetësisht në Shkodër dhe madje kishin krijuar bindjen te banorët se në të kishte efektivë të policisë.
Kjo pasi personat disa ditë më parë kishin ndaluan disa të rinj, duke u prezantuar si policë dhe më pas u kishin ushtruar edhe kontroll fizik.
Gazetari i “Ora Neës”, Elton Qyno, ka mësuar se qarkullimi i saj në publik me persona që mbanin të veshur jelekë me mbishkrimin “Policia” dhe ndalimi në rrugë i disa banorëve, ka krijuar perceptimin se vërtet kjo makinë ishte në përdorim të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Por kjo ka qenë një maskim për të futur në “kurth” “shënjestrën” e tyre që në këtë rast dyshohet se kanë qenë anëtarë të fisit Lici ose Bushati. Bëhet me dije se ditën e ngjarjes kanë dalë nga banesa e me një automjet “Benz” të zi, anëtrët e familjes Lici dhe Bushati, të cilët kishin planifikuar të shkonin për të darkuar në Podgoricë të Malin e Zi.
Në dijeni të kësaj lëvizje, kanë qenë dhe autorët e krimit të cilët me shpejtësi, kanë nxjerrë në rrugë të njëjtën makinë që sillej disa ditë më parë si mjet për qëllime policore.
Makina “Range-Rover” ka dalë menjëherë nga rrugica ku ka shtëpinë Astmer Bilali, (njëri nga hasmit kryesorë të familjes Lici në Shkodër), duke ju vënë nga pas Benzit, që drejtohej nga Hamza Lici dhe pasagjer ndodhej Arlind Bushati.
Ndërkohë një person i tretë që besohej ka qenë në sediljen e pasme, ka mbetur i plagosur. “Range-Roveri”, i “Policisë” sapo ka arritur makinën “Benz”, dy persona ka hapur zjarr nga pas me dy automatikë (rreth 38 plumba), duke sjellë thyerjen e xhamave të mjetit dhe vdekjen e dy personave që ndodheshin në makinë.
Dyshimet flasin se në makinë ka qenë dhe Ibrahim Lici, i cili ka marrë dy plumba në trup, por ka shpëtuar mrekullisht. Ai vetë besohet shumë se ka shkuar fillimisht në një klinikë private në Shkodër, ku ka marrë mjekim dhe më pas është larguar.
Kujtojmë që Policia e Shkodrës po punon për zbardhjen e atentatit të ndodhur më 30 tetor ku persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonte Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dyshohet e një person i tretë identiteti i të cilit ende nuk dihet.
Dy klinika private në Shkodër janë kontrolluar nga policia me shpresën e gjetjes së personit të tretë të plagosur, që besohet se ka qenë në makinën tip “Benz” të sulmuar me armë në zonën e Dobraçit.
Mësohet kontrollet janë kryer pas dyshimeve të arsyeshme se në këto klinika është paraqitur një person i plagosur dhe pas marrjes së shërbimit mjekësor është larguar sërish, duke mos u mundur të lokalizohet dhe ndalohet nga policia.