Kryeministri vijon të sfidojë amerikanët për Reformën në Drejtësi…
Kryeministri Edi Rama vijon të bëjë “cubin” përballë amerikanëve. Tani që SPAK po terrorizon politikën dhe të gjithë e kanë “kokën në thes”, kryeministri po trumbeton se e bëri ai reformën në drejtësi.
I ftuar në “Opinion”, Rama deklaroi se evropianët dhe amerikanët kanë pasur shumë rezervA për reformën në Drejtësi, ndërsa theksoi se askush nuk ka patur vullnetin e tij.
“Amerikanët kanë sjellë Ndoc Rrokun këtu, sepse këtë e ka sjellë PS me mua në krye. Që të jemi të qartë edhe amerikanët, edhe evropianet kanë pasur shumë rezerva, ishin shumë mosbesues. Mbështetja për amerikanët ka qenë absolute, por askush nuk e ka pasur vullnetin tim për ta ndarë drejtësinë nga pushteti politik. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur që të merren të pandehur, ministra, deputetë e kryetar bashkish. Kjo ka qenë ajo që unë kam ëndërruar, që të godasë majtas e djathtas”, tha Rama.
I pyetur për arrestimet në krahun e socialistëve, kryeministri Edi Rama përsëriti se nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie për këdo që shkel ligjin dhe vjedh pasuritë e përbashkëta.
Ai tha se Reforma në Drejtësi që u udhëhoq nga Partia Socialiste po jep “frytet” e saj si asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi.
“Përgjegjësia morale e imja është vetëm një, të bëj gjithçka kam në dorë që ky vend të bëhet me drejtësi. Pushteti politik të tërhiqet nga çdo drejtim me drejtësinë. Ka një fakt, që është shumë kokëfortë që nga viti 1912 kur është ngritur flamuri. Deri kur Reforma në Drejtësi, që e udhëhoqëm ne, Partia Socialiste, jo edhe LSI-ja. Erdhi pastaj mbrapa për arsye që i kemi diskutuar. E udhëhoqëm ne, e futëm ne në program në vitin 2013. Që kur ka filluar të zbatohet, persona të lidhur me pushtetin politik janë marrë nën hetim, ka të akuzuar prapa hekurave. Nuk ka ndodhur kjo ndonjëherë!”, tha ai.
Rama doli nga binarët kur u pyet se Kryemadhi e cilësoi atë si “Peshkun e Madh”. Madje ai sulmoi gazetarët dhe analistët, pasi sipas tij, merren me luksin e tij.
“Po tek unë për çfarë?! Për cilat çështje? Unë jam peshku më i madh nga të gjithë se jam dy metra. Po problem nuk është sa metra është peshku, por cilido ka futur duart në pasuritë e përbashkëta dhe ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Dhe unë nga këto nuk kam. Jam informuar që i vogël se kur shkon në anën tjetër, je lakuriq përballë atij që të del atje. Nuk të duhet as cash-i, as pasuria. Ndërkohë që mbrapa lë emrin. Unë luftoj për emrin. Këta sharlatanë që flasin për luksin tim, sarajet e mia…Unë s’kam vetëm shpjegime, unë kam fakte dhe kam letra…
Zonja është në hallin e vet dhe unë me njerëz që janë në halle të mëdha nuk debatoj. Unë nuk kam asnjë hall të kësaj natyre. E kam thënë dikur, kam qen më i ri, nuk ka birë nëne dhe bir tjetër që mua të më dalë përpara e të më thotë që një qindarkë e imja si taksapagues ndodhet në xhepin tënd. Kjo është një histori qensh, lehje qensh. Dykëmbësorë që kanë marrë rolin e qenit në mjedisin e qenit dhe që lehin nga të katërta anët dhe bëjnë çorbë gjithë dynjanë”, tha ai.