Spanjë: Historia tragjike e 34-vjeçares që u mbyt me foshnjën e saj në Valencia. Gruaja fatkeqe u bllokua në makinë së bashku me burrin e saj, i cili u shpëtua pasi u përfshi nga ujërat e vrullshëm
Dramat njerëzore kanë filluar të zbulohen ndërsa ujërat tërhiqen nga përmbytjet në Valencia dhe dihen shifrat e 95 të vdekurve deri më tani nga stuhia DANA.
Një dramë e tillë është ajo e familjes së Antonio Tarajona dhe Lourdes Maria Garcia, të cilët u bllokuan në zonën e Paiporta së bashku me vajzën e tyre tre muajshe, Angelina.
Në një moment Antonio, Lourdes dhe Angelina e vogël u ngjitën në çatinë e makinës së tyre, raporton noa.al.
Ujërat, megjithatë, ishin të shpejta, me rezultatin që Antonio u rrëmbye prej tyre, duke lënë pas Lourdes dhe Angelina.
Sipas një shoqeje të 34-vjeçares, Lourdes e ka telefonuar në orën 20:50 të së mërkurës mbrëma: “Ajo më tha se do të përpiqej të mbahej sa më gjatë dhe më kërkoi të kujdesesha për dy fëmijët e saj të tjerë.”
Shoqja e Lourdes shkoi në këmbë në shtëpinë e 34-vjeçares, në një distancë prej gjashtë kilometrash, për të marrë vajzën e saj 10-vjeçare dhe djalin 13-vjeçar.
Pak orë më vonë erdhi lajmi i pakëndshëm. Siç njoftoi një mik i Lourdes, si gruaja 34-vjeçare dhe foshnja e saj u gjetën të vdekur.
Ndërsa Antonio, i cili u gjet dhe u shpëtua, u dërgua me një gju të lënduar në një qendër sportive në Valencia që përdoret si qendër pritjeje për të prekurit.
Sipas mikut të familjes, Antonio përshkroi se si kur u rrëmbye nga ujërat, arriti të kapej mbi një copë hekuri dhe si pasojë e gjetën shpëtimtarët.
Me origjinë nga Venezuela, Lourdes kanë jetuar në Valencia për 5 vitet e fundit. /noa.al