Ndahet nga jeta prifti italian, amaneti që kishte lënë për tu varrosur në Shqipëri

Kisha Katolike Mat ka ndarë një lajm të trishtë për të gjithë predikuesit e fesë katolike por jo vetëm. Prifti Don Gianfranco Cadenelli ka ndërrruar jetë në mbrëmjen e 30 tetorit pas një lufte të gjatë me kancerin. I shpallur “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat, priti ndërroi jetë në Kishën e Suçit në Mat.

“Jemi të pikëlluar t’ju japim lajmin se sonte në mbrëmje, don Gianfranco Cadenelli, doni ynë shumë i dashur, ka vdekur, pas një viti shumë të mundimshëm përballjeje me tumorin. Kjo humbje është një trishtim i madh për familjen tonë dioqezane. Ju kërkojmë të luteni për shpirtin e don Gianfrancos dhe për të gjithë ne. Jepja o Zot pushimin e pasosur e i shndrittë drita e pambaruar! Pushoftë në paqe! Amen!”, shkruan në njoftimin e saj Dioqeza Rrëshen.

Ndërron jetë prifti italian, amaneti që kishte lënë

Dioqeza Rrëshen gjithashtu ka lajmëruar se mesha për funeralin e Don Cadenellit do të mbahet këtë të shtunë me datë 2 dhjetor në kishën “Shën Nikolla”, aty ku edhe po qëndron trupi i pajetë i priftit.

“Mesha për funeralin e Don Gianfranco Cadenellit, do të jetë ditën e shtunë, me datë 2 nëntor, në orën 11:00, në Suç, te kisha “Shën Nikolla”. Në kishë tashmë pushon edhe trupi i don Gianfrancos, deri kur ta përcjellim në varrin e tij. Të gjithë ata që kanë dëshirë të shkojnë dhe të luten për të e t’i bëjnë homazhe, mund të shkojnë te kisha e Suçit.

Faleminderit shumë të gjithëve për afërsinë tuaj në këto momente dhe për mesazhet e panumërta ngushëlluese! Jua kthefshim në të mira e gëzime!

Ju kërkojmë të vazhdoni të luteni për shpirtin e don Gianfrancos, për familjen dhe të afërmit e tij, për miqtë e tij, si dhe për familjen tonë dioqezane.”

Don Gianfranco Cadenelli ka lindur me datë 25 tetor 1955 në Brescia të Italisë. Ai është diplomuar për teologji dhe filozofi ndërsa titullin prift e ka marrë në moshën 23 vjeçare. Ai ka ardhur në Mat 22 vite më parë në Kishën katolike Suç ku është shpallur dhe “Qytetar Nderi” nga ish komunat Suç e Baz dhe në Bashinë e Klosit.

Vetëm 5 vite më parë ai ka marrë nënshtetësinë shqiptare. I shkquar për bujarinë dhe mirësinë e tij, prifti kaq patur lidhje mjaft të ngushta me të gjitha institucionet vendore. Gjatë vitit të fundit gjendja e tij shëndetësorë ka qenë e rënduar dhe dëshira e tij e fundit ka qenë të varrosej në Mat, aty ku dha dhe shërbimin e pakursyer.