Safet Bajri, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, është shoqëruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Komisariatin e Shkodrës. Burime për mediat bëjnë me dije se Bajri është shoqëruar nga efektivët në lidhje me atentatin e ndodhur këtë të mërkurë në Dobraç të Shkodrës, ku mbetën të vdekur tre persona dhe u plagos rëndë një tjetër.
Lidhur me këtë ngjarje blutë e Shkodrës kanë shoqëruar edhe 9 persona të tjerë.
Shoqërimi i Bajrit ka ardhur si pasojë e konflikteve dhe hasmërive të fisit të tij me atë të Ibrahim Licit, të cilët pasditen e kësaj të mërkure humbën një prej anëtarëve të tyre, Hamza Licin.
Deri më tani nuk dihet ende se kush ka qenë shënjestra e këtij atentati i cili i mori jetën dhe një kalimtare të pafajshme, Flutura Bashës.
Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi automjetin tip Benz me të cilin po udhëtonin dy të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Si pasojë mbeti i vdekur në vendin e ngjarjes vëllai i Ibrahim Licit, ndërsa u plagos rëndë Arlind Bushati. Ky i fundit humbi jetën mbrëmjen e sotme si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, viktimë mbeti edhe Flutura Basha, e cila po lëvizte me motoçikletë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha kur automjeti me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati doli nga rruga dhe i përplasi.