Aurora Polo në vend të Zotit, zgjedh fituesin e Festivalit të Këngës
Aurora Polo nuk na drejton vetëm RTSH e shumë të tjera. Aurora Polo, dora vetë, na paska përzgjedhur fituesin e Festivalit të Këngës në RTSH, duke e zbardhur nderin e këtij aktiviteti të përvitshëm. (A nuk është shkelje kjo, apo…?) Jo vetëm kaq, pasi vetë Aurora Polo e ka dërguar Shkodrën Elektronike në Eurosong, për çka ndoshta e gjithë Shkodra, përpos gjithë Shqipëria, duhet t’ia di për nder.
Nuk janë këto pjellë e imagjinatës të askujt përveçse e gazetarëve të komanduar nga Polo, të cilët nuk ngurojnë të thurin lavda për ata që ju japin një rrogë në shtet. Këtë skemë e kemi parë dhe e provon shumica çdo ditë nën lëkurë. Në ditën e gruas, si komunistë të mirë, gazetarë të komanduar të një drejtoreshe të komanduar, vendosin të veçojnë 7 pika se pse Aurora Polo po shkrin talentin në drejtimin e RTSH-së. Shtatë, si mrekullitë e botës, si ditët e javës, si lajthitjet e Aurorës dhe marionetave të saj.
Aurora si një, dhe Aurorat si disa që e ndjekin nga pas, të habisin për diçka: nuk përpiqen as të rafinohen. As në mendim, as në shkrim, as në sedrën vetjake dhe profesionale për të sjellë një opinion që ia vlen të lexohet, edhe me të pavërtetat e saj. Shkrimet komuniste në 2025 përkasin aty ku Kryeministri shekullor i këtij vendi e ka përcaktuar vite më parë, në portHale. Aty ku ngrihet Polo, një nga Aurorat që e ndjek nga mbrapa i bën reklamë edhe punës së saj, se nuk i dihet, një ditë mund ta ëndërrojë copën e tortës së RTSH-së edhe vetë.
Dhe në fund, që të ‘rrojë partia’ njëherë e mirë, bashkëngjit edhe një foto personale me Polon kapur dorë për dore. Ju lumtë, e qelbët demokracinë dhe Ditën e Gruas me një pseudo-shkrim të vetëm. Tani, lironi vendin. Me gjithë dëshirën për të marrë projekte në RTSH sipas skemës KÇK, me Polon dihet se po merret drejtësia. Kështu që Polo me polianat duhet ta dinë mirë se një faqe shkrim mediokër nuk e shpëton nga hetimi. Aq më pak në një kohë si sot, kur Bashkia e Tiranës mbetet pa Kryetar për rrethana akuzash e hetimi, në një kohë që Polo ka emrin në tendera me pikëpyetje të mëdha.
Ata që kanë ikur nga RTSH, me të drejtë e pa të drejtë, janë punonjës të thjeshtë, që mos në RTSH, diku gjetkë do hajnë bukë me punë të pastër. Po a janë gati Aurorat për bukën pas hekurave? Ndaj u citua më lart: rafinohuni. Se na habitët me fluturime në fshesë të shtrigës…