Historia e trishte shqiptare/ Baba në moshën 8-vjeçare, gabimi i rëndë që bëri lëmsh familjen

Qytetarja Valentina Beçoku është drejtuar në redaksinë e emisionit Stop në Tv Klan dhe tregon se është martuar në vitin 1987 dhe nga kjo martesë ka 4 fëmijë.

Pasi jetuan me familjen në një fshat të Korçës, erdhën në Tiranë dhe të dy ndërtuan shtëpi në tokën që blenë.

Në vitin 2000 u ndanë por zonja pretendon se nuk e ka zgjidhur martesën me divorc. Ish- bashkëshorti e ka dhënë shtëpinë për pallat dhe zonja pretendon se nuk i ka dhënë pjesë. I është drejtuar gjykatës për pjesëtimin e pasurisë.

Ndërkohë ka marrë një certifikatë trungu familjar dhe në këtë certifikatë bashkëshortja e dytë e ish-burrit rezulton sikur është nusja e djalit dhe fëmija i dytë i bashkëshortit, rezulton sikur është nipi.

“Kam qenë e martuar në vitin 1987. Prej kësaj martese kemi pasur 4 fëmijë bashkë. Në 2000 jemi ndarë. Nuk kemi bërë divorc. Gjatë viteve të martesës kemi jetuar në një fshat të Korçës. Në ’96 e kam tërhequr ish-bashkëshortin tim këtu në Tiranë. Kam ndenjur me qira 1 vit. Pas 1 viti kemi blerë një tokë bashkë dhe kemi bërë shtëpinë. Në momentin që kam bërë shtëpinë, në vitin 2000 kam pasur probleme me babain e fëmijëve dhe ai ka parë jetën e tij, unë kam parë jetën time. Këtu qëndron problemi se kam shkuar kam marrë një certifikatë dhe rezulton që jam shkurorëzuar. Nuk është e vërtetë. Aty figuron edhe e reja që bashkëjetonte me ish-burrin tim. Nga martesa e dytë ish-bashkëshorti ka dhe një fëmijë tjetër, që quhet nipi. Kjo certifikatë sjell probleme se ai ish-bashkëshorti im, shtëpinë që kam bërë me ish-bashkëshortin e ka dhënë për pallat dhe nuk më ka dhënë pjesë mua. I ka dhënë pjesë ish-bashkëshortes së dytë. Për këtë problematikë i jam drejtuar gjykatës, por nuk janë zhvilluar seancat e gjyqit”, thotë denoncuesja.

Stop u drejtua në Njësinë Nr. 6 dhe punonjësja pranoi se është një gabim i saj.

Gazetarja: Keni dhënë një dokument, certifikatë trungu familjar, që mban firmën tuaj. Ju kujtohet?

Punonjësja: Firma ime është.

Gazetarja: Ju kujtohet si rast?

Punonjësja: Si rast jo, sepse bëjmë shumë certifikata të tilla.

Gazetarja: A mund ta konfirmosh pak këtë certikatën, sepse keni futur bashkëshorten e dytë si e reja, djalin e dytë si nipi, bashkëshorten e parë beqare. Nëse ky është një dokument zyrtar, unë nuk e di.

Punonjësja: Këto janë certifikata manuale dhe ka rastisur, që paskam bërë këtë gabim. E shoh bashkëshortja është shënuar beqare.

Gazetarja: Qytetarja e ka dorëzuar në gjykatë këtë dokumentin.

Punonjësja: Edhe gjykata e kupton, që ky është një lapsus, sepse bashkëshortja nuk mund të jetë beqare. Është gabim, jo i bërë me dashje. Është bërë gabim, është shkruar domethënë dhe normalisht unë nuk them, që nuk e kam bërë gabimin. Është gjë, që rregullohet.

Punonjësja e Gjendjes Civile tha se “kjo është një gjë që rregullohet dhe se gjykata e kupton, që është bërë lapsus”