Gjirokastra është tronditur nga vetëvrasja e 17-vjeçares Irsa Muçollari, e cila dyshohet se i dha fund jetës për shkak të bullizmit të vazhdueshëm që përjetonte në shkollë.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur e reja, pasi ishte larguar tre herë nga shkolla atë ditë, u kthye në shtëpi dhe kreu aktin tragjik në dhomën e saj. Ajo la pas një letër prekëse, ku shprehte dhimbjen dhe vetminë e saj përballë shoqërisë që e përçmonte për shkak të paraqitjes së saj.
Në letrën e saj, të shkruar në anglisht dhe të fshehur në kapakun e celularit, 17-vjeçarja shkruante:
“O Zot, pse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe dua që shokët të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time… Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ja hap zemrën time? Askush nuk më kupton.”
Kjo letër ka zbuluar arsyet e rënda që çuan të renë në këtë akt ekstrem, duke ngritur shqetësime mbi fenomenin e bullizmit në shkolla dhe ndikimin e tij të rëndë tek të rinjtë.
Autoritetet kanë marrë në pyetje stafin e shkollës “Siri Shapllo” dhe shoqërinë e saj, ndërsa ngjarja ka hapur një debat të gjerë mbi mbrojtjen e të rinjve nga bullizmi dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike.