Krahasimi i rezultateve të sondazhit me të dhënat e zgjedhjeve të 2021…
Partia Socialiste ka humbur ndjeshëm terren në sondazhe.
“MRB-Hellas” dhe “Datacentrum” publikuan dje në “Euronews Albania”, sondazhin e parë referuar zgjedhjeve, duke mbledhur të dhëna nga 1600 qytetarë.
40.5% e qytetarëve thonë se do të votonin PS, 24.9% e tyre tregojnë se do të votonin PD. 6.4% janë përgjigjur se do të votonin “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt.
Ndërkohë 3.1% e qytetarëve thonë se do të votonin partinë “Mundësia“ të Agron Shehajt. 2.2% tregojnë se do të votonin “Lëvizja Bashkë” të Arlind Qorit. 1.4 % thonë se do të votonin “Partinë e Lirisë“ të Ilir Metës. 2.4 % thonë se do të votonin parti tjetër nga më sipër. Ndërkohë 19.1% janë të pavendosur se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të ishin sot.
Nëse analizojmë me kujdes të dhënat, PS dhe PD janë në krye, por kanë rënie. Në zgjedhjet e 2021, PS mori 768.134 vota ose 48.67 % të votave në total. Me këtë rezultat PS mori 74 mandate.
Por nëse i referohemi sondazhit dhe e marrim të mirëqenë se PS merr 40 për qind të votave, atëherë shanset që të kapë 71 mandate janë shumë të vështira.
Në zgjedhjet e 2021 pati në total 1.578.117 vota të vlefshme. Duke bërë llogaritjet mbi këtë numër, 40 për qind përkthehet në 631 246 vota. Ndërkohë PD në 2021 mori 622 187 vota dhe u katandis në 59 mandate.
Pra PS ka një rënie me 8 për qind dhe kjo mund të përkthehet në mbi 130 mijë vota humbje. Që do të thotë se PS mund të humbasë më shumë se 4 mandate deputeti. Si shembull mund të marrim vitin 2009, ku PS mori 41.3 për qind të votave dhe mori 65 mandate.
PD pastaj është katastrofë, pasi bie nga afro 40 për qind në 24 apo 25 për qind. E përkthyer në vota krahasuar me rezultatet e 2021 shkon në afro 400 mijë vota.
Dhe këtu duket se hyn në lojë vota e Diasporës. Në sondazhet e brendshme të PS, Rama e di se në vend nuk shkon më shumë se 40 për qind dhe kjo e rrezikon që të mos kapë 71 mandate. Prandaj do të përdoret Diaspora për të çuar vota në qarqet ku ata humbasin terren. Për shembull, nëse në Vlorë PS del se humb 1 apo 2 mandate, aktivizohen patroanzhistët dhe nxisin emigrantët nga Vlora të votojnë. Kështu dhe në qarqet e tjera. E njëjta gjë dhe për PD. Pra, vota e Diasporës vendos fatin e qeverisë së re.
Interesant është fakti se ka një rritje të partive të reja dhe nëse ato ecin fort deri në fund, mund të bëjnë surprizën duke e patur ato në dorë fatin e qeverisë, rol që dikur e bënte LSI. /Pamfleti