Kam qenë në bisht të situatës, jam treguar liberal e kam lejuar të më shkatërrojnë të degjeneruarit. U pajtova me imoralitetin e dy zëvendësministrave Mantho Bala e Hasan Dume. Problemet kam dashur t’i zgjidh me të mirë e pazhurmë, me një butësi të krishterë dhe harmoni false”
Tatëpjeta e ish ministrit emblematik të arsimit, Thoma Deliana ka nisur në mesin e viteve 70, kur kishte mbushur 15 vite në këtë detyrë dhe ishte dekoruar me titujt më të lartë të kohës disa herë. Ai kishte shpëtuar pa u lagur nga furtuna e Plenumit IV të KQ të Partisë, ku u kryqëzuan miqtë e tij me në krye Fadil Paçramin, por nuk ndodhi kështu në plenumet pasardhëse që penalizuan një pjesë të mirë të ministrave të qeverisë komuniste, duke filluar me Abdyl Këllëzin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhe zëvëndësit e bashkëpunëtorët e tyre të afërt. I përmendur në njërin prej tyre shkarazi nga Enver Hoxha, Deliana u vu në syrin e ciklonit për tu bërë në vijim objekt i një fushate të egër goditjesh. Si gjithnjë në të tilla raste, sulmi nisi në mbledhjen e organizatës së Partisë të Ministrisë së Arsimit, drejtimin e të cilës “Njëshi” ia kishte besuar një prej eksponentëve të lartë të Partisë. Manush Myftiu, asokohe sekretar i Parë i Partisë për Tiranën, sipas porosisë së shefit, pa pritur gjykimin e të tjerëve për Delianën, renditi një mori akuzash që kishte adresuar më së fundi udhëheqja e Partisë ndaj tij.
Në mbledhjen maratonë treditore (29-31 mars 1976), i deleguari i Byrosë Politike, duke ftuar të tjerët të qëndronin ashpër ndaj kreut të dikasterit që “kishte shkelur vijën e Partisë dhe kishte manifestuar shfaqje liberale e oportuniste”, nuk rreshti për të vënë në vëmendjen e tyre rastet që kompromentonin jo vetëm personalitetin e ministrit, por edhe figurën e tij morale.
Në morinë e fakteve të tilla, Myftiu veçoi aktet e imoralitetit të dy zëvendësministrave të arsimit, trafikun e influencës dhe klientelizmin si praktikë dominuese në rekrutimin e punonjësve të ministrisë. I gjendur përballë këtij rrebeshi, ministri u përpoq të mbrohej me argumenta të ndryshme me karakter justifikues, por kur pa këmbënguljen e të deleguarit, filloi të reflektojë për të shpëtuar çfarë mund të shpëtonte.
Në produktin final, mbledhja e bujshme ia delegoi çështjen për shqyrtim organeve drejtuese të Partisë për të vlerësuar anëtarësinë e Delianës jo vetëm në radhët e KQ, ku militonte prej një dekade, por edhe anëtarësinë në Parti. I terrorizuar nga ajo që pritej të ndodhte pas kësaj, kjo falë edhe përvojës disavjeçare në udhëheqje të Partisë dhe në strukturat e larta të shtetit, Thoma Deliana nxitoi t’i drejtohej Enver Hoxhës me një autokritikë të gjatë, nëpërmjet të cilës duke i kërkuar një mundësi të dytë për t’ia shpërblyer Partisë, i përbetohet se do të mbetet deri në frymën e fundit një ushtar besnik i saj.
Në vijim tektsi i letrës që ish kreu i arsimit i drejton kreut të regjimit, së bashku me përgjigjen shpërfillëse të këtij të fundit…
Letra e Delianës
Shoku Enver,
Më vjen rëndë të dal para Jush me ngjarjet që ndodhën kohët e fundit në ministrinë tonë, pas konkluzioneve që nxori Partia nga Plenumet e fundit të KQ për punën armiqësore dhe pas kritikave shumë të drejta që më keni bërë Ju për punën tonë.
Brenda një viti, dy ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur në Ministrinë tonë: Rasti i Hasan Dumes dhe tash së fundi rasti i shëmtuar i Mantho Balës, të cilat kanë dëmtuar rëndë vijën e Partisë dhe kanë tronditur opinonin shoqëror. Kjo gjëndje u analizua në Sekretariatin e KQ më datën 29.3. 1976 dhe në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve për tri ditë me radhë. Konkluzionet e Sekretariatit, vërejtjet që më bënë shokët si dhe kritikat në organizatën e Partisë, më kanë ndihmuar shumë të reflektoj më thellë për dobësitë e punës time.
Nga analiza që i kam bërë këto ditë punës time, rezulton se s’kam qënë në krye të situatës, por në bisht të saj, jam treguar liberal e kam toleruar të më hypin në qafë njerëz mëndjemëdhenj, karrierist e të degjeneruar si Hasan Duma e Mantho Bala, kam mbajtur qëndrime oportuniste ndaj tyre dhe s’kam nxjerrë mësime nga kritikat e Partisë, sidomos pas plenumeve të IV dhe të VII të KQ.
Ne nuk kemi analizuar thellë të metat e kritikat që na bënte plenumi i IV, por duke u nisur nga kundërvënia që kemi pasur si ministri me Fadil Paçramin, e kemi hequr veten si të persekutuar nga ky dhe s’kemi bërë një qilizëm të thellë në përgjegjësitë që kishim si ministri. Po të ishim ndalur si duhet në këtë drejtim, do t’i kishim goditur me forcë këto shfaqje të huaja liberale që dalin sot. Një rol negativ në këtë drejtim ka luajtur Mantho Bala.
Sukseset në revolucionarizimin e shkollës na mbyllën sytë para disa shfaqjeve relativisht të vogla, por që më vonë u frynë dhe plasën. Mantho Bala dilte si luftëtar i madh pas Plenumit të IV, kurse Hasan Duma korifeu i arsimit, që të dy mëndjemëdhenj, arrogatë, prepotentë e të degjeneruar moralisht. Këta ishin dy gjela që herë ziheshin për sfera influence dhe herë pajtoheshin kur u puqeshin interesat. Këto diheshin, njiheshin, por ne s’jemi ndalur t’i analizonim e të nxirrnim konkluzione, e veçanërisht unë jam pajtuar gjithnjë e më shumë me këtë situatë dhe kam mbajtur një qëndrim liberal. Unë kam dashur të ruaj një qetësi e harmoni të rreme në udhëheqjen e Ministrisë, kam dashur që çështjet të zgjidhen urtë e butë brenda për brenda ministrisë. Po kjo situatë s’mund të vazhdonte gjatë e një ditë lakrat dolën sheshit. Hasan Duma vitin e kaluar bëri gabime të rënda dhe ne nuk e dënuam rëndë, i zbutëm gjërat dhe çështja u mbyll brenda organizatës ku bënte pjesë Hasani, ku ai bënte ligjin. Duke mos e bërë operacionin deri në fund Hasani përsëriti gabimet duke iu kundërvënë kontrollit punëtor në rastin e luftës kundër burokratizmit në aparatet shtetërore. Ky nuk u vlerësua si një gabim i rëndë politik nga ana ime, prandaj mbajta një qëndrim liberal ndaj Hasan Dumës.
Po kështu Mantho Bala si njeri hileqar, i pasinqertë dhe shumë i djallëzuar shfrytëzoi dobësitë e të metat e punës time, deri sa u zbulua nga Partia dhe u dënua. Ndaj tij unë përsëri mbajta një qëndrim oportunist, duke mos e dënuar me tërë forcën veprimtarinë e tij moralo-politike të cilën do ta shpjegoj më poshtë.
Në marrëdhënie me Hasanin ka influencuar edhe familjariteti që kam patur me të si specialist i mirë i arsimit dhe kam pasë një ndjenjë inferioriteti ndaj tij në këtë fushë. Po kështu ka ndodhur edhe me Manthon. Kur Parita na i zbuloi lakuriq fytyrat e tyre, mua më vrau ndërgjegjia se si ndodhi kjo përsëri tek ne, me ç’sy e faqe do t’i dal KQ e qeverisë dmth e pashë më shumë në prizmin sentimental mikroborgjez se sa në prizmin politik, se po t’i qëronim këto qelbësira puna jonë do të shkonte përpara. Dua të siguroj KQ se asnjë gjë kopromentuese moralo-politike s’ka nga ana ime me Mantho Balën. Kam mbajtur qëndrim të butë ndaj Mantho Balës, se në gabimet e rënda moralo-politike që i viheshin në dukje, veçanërisht për Asije Hoxhën e Miho Gjinin, unë shikoja edhe përgjegjësinë time pse i lejova këto e kjo më rëndonte ndërgjegjen e më bënte të mos isha i vendosur si shokët e tjerë. Ai ishte mjaft finok, i pasinqertë, njeri me dy fytyra dhe ta linte dobiçin në derë.
Unë s’jam kapur si duhet nga lufta e klasave për zgjidhjen e problemeve, nga ballafaqimi i të kundërtave, nga çuarja deri në fund e kësaj lufte, por kam dashur t’i zgjidh me të mirë e me të butë, me një butësi të krishterë, me një harmoni falso në dukje, gjë që s’shkon gjatë dhe plasë. Pra, ky është një koncept revizionist në kokën time.
Ka edhe politikë personale me kuadrin si rasti i ardhjes nga Lushnja i Asije Hoxhës me ndërhyrjen e Adem Sollakut, e cila edhe pasi u hoq për arsye të burgosjes së të shoqit, me ndërhyrjen e Manthos është mbajtur në shtëpinë qendrorë të krijimtarisë, në kundërshtim me vendimin për ta çuar në Mirditë.
Po ashtu është edhe rasti i Miho Gjinit, kritik letrar, i cili për gabime ideologjike dhe karakterin e tij të dobët qysh në vitin 1973 u hoq nga ministria dhe Mantho Bala, e vendosi në Tiranë në shkollën e kulturës dhe e ka aktivizuar në jurira deri në ekipe të ministrisë për të kontrolluar. Këto janë gabime të rënda oportuniste për të cilat mbaj edhe unë përgjegjësi që nuk kam ngulur këmbë që këta elemnetë të largoheshin fare nga Tirana.
Koncept tjetër liberal kam patur për kompetencat e zëvendësministrave, duke u dhënë më shumë inisiativë për t’i zgjidhur vet problemet dhe duke mos i kontrolluar si duhet. Veçanërisht Hasan Dumen që merrej me kuadrin, i kisha lënë më shumë kopetenca. Ndaj kërkesave, ankesave e sinjalizimeve që kam pasur nuk jam treguar rigoroz t’i çoj deri në fund, i kam nënvleftësuar shpesh si gjëra të vogla dhe nuk i kam parë në këndin që dhe gjërat e vogla dalin të mëdha. Kështu edhe sinjalizimi që më ka dhënë Hasani për Manthon në kohën kur po kritikohej vet, se kur ka qënë në Shkodër si sekretar partie ka qënë imoral dhe tani vazhdon përsëri, unë e quajta si shpifje hakmarrëse ndaj tij dhe e nënvleftësova.
E gjithë kjo situatë që u krijua në dikaster dalngadalë, me të metat e predispozitat e mija liberale, mosthellimi sa duhet në mësimet e Partisë, sidomos në luftën kundër armiqve të brendshëm, mos vlerësimi sa duhet i presionit ideologjik imperialisto-revizionist, qënia e dy zëvëndësministrave me të meta shumë të theksuara në karakter, kanë bërë që unë si drejtues të mos jem në krye të punëve dhe me qëndrimet oportuniste të humb dhe besimin e kolektivit. Veç kësaj tek unë ka ndikuar paaftësia ime për të drejtuar këta sektor kaq delikat si dhe boshllëqet e përgatitjes ideologjike e profesionale.
Dobësitë e mija në punë e në drejtim, predispozitat e mija liberale, Hasani e Mantho i kanë ditur dhe i kanë shfrytëzuar për interesat e tyre dhe të prirur për karrier e për pozita janë munduar sa njëri tjetri të përfitojnë nga këto e të livadhisin.
I jam shumë mirnjohës Partisë dhe shokut Enver për ndihmën dhe kujdesin që kanë treguar kurdoherë ndaj meje dhe më vjen shumë rëndë që ua shpërblejë në këtë mënyrë. Unë s’kam justifikuar besimin e madh që më ka dhënë Partia dhe populli dhe gabimet e mija e kanë dëmtuar rëndë vijën e Partisë.
Unë premtoj se jam dhe do të jem besnik deri në fund të jetës time Partisë dhe shokut Enver, kam besim të madh te Partia dhe jam gati të pranoj edhe dënimin më të rëndë që do më jap ajo. Më vjen rëndë e turp që s’e ka kaluar akoma as një vit që shoku Enver më kritikoi rëndë dhë më paralajmëroi në plenumin e VII të KQ për mungesë vigjilence e mprehtësi politike si dhe për qëndrime liberale me njerëzit dhe tamam në këto gabime unë kam rënë përsëri.
Unë jam plotësisht dakort me propozimet e bëra në organizatën e Partisë që unë të shkarkohem nga funksionet që mbaj dhe për gabimet dhe dëmin e madh që i kam sjellë Partisë të shkoj në skajin më të largët të vendit, ta filloj jetën nga e para, se kam nevojë të edukohem mudis klasës punëtore dhe të kalitem në gjirin e saj. Këtë nuk e them për kapitullim apo për shmangje të përgjegjësisë, por për hir të punës së Partisë dhe për autoritet të ministrisë.
I them Partisë dhe shokut Enver se dëshira ime e fundit është të mbyll sytë si ushtar i thjeshtë i saj.
Me respekt të thellë
Thoma Deliana
Tiranë, më 3 prill 1976.
Shënimi i Enverit: Çojeni punëtor në një fshat malor
Kjo autokritikë është për tu shfajësuar për fajet e tij të rënda dhe të dënueshme dhe t’ja u hedh të tjerëve që edhe ata i kanë po aq të rënda.
Duhet të marrim masa të rënda kundër tij pse ka vepruar kundër Partisë. Të pranohen të gjitha vendimet e organizatës bazë, të kthehen në kanditat partie. Ministri të përjashtohet fare. Mos t’i jepet asnjë punë drejtuese dhe të vejë punëtor krahu ose mësues në ndonjë kooperativë malore.
Kështu mendoj unë dhe kjo që më shkruan më forcon më shumë bindjen se ky njeri nuk është i pastër.
Enver
Pamfleti