Dite te zeza! Dy njerëz afër Ramës e Berishës zbulojnë planin për shkrirjen e SPAK-ut

Dy njerëz të afërt me Ramën dhe Berishën kanë paralajmëruar mbrëmë në ekrane, të dy në të njëjtën kohë, fundin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Baton Haxhiu, analist nga Kosova që njihet si ndërmjetës dhe shoqërues udhëtimesh i kryeministrit Rama tha mbrëmë hapur në emisionin “Të paekspozuarit” se Rama dhe Berisha po përgatisin votimin e ligjit të ri penal dhe se SPAK është në dorën e tyre.

Gjithashtu, Edit Harxhi, zyrtare e lartë e PD-së së Berishës tha në një intervistë në Euronews Albania se SPAK përfshihet në listën e institucioneve për të cilat presidenti i ri amerikan Donald Trump firmosi pezullimin 90 ditor të ndihmës financiare.

“SPAK varet nga dy njerëz, një është Edi Rama dhe dy është Sali Berisha, krejt të tjerat janë përralla. Nëse dikur ka patur një presion për të krijuar frikën në Shqipëri me SPAK, tani kemi nevojë që drejtësinë ta kthejmë në binarë.

Do të kemi së shpejti nga dy liderët një ligj penal të ri, ku do të futen nene që SPAK e humb fuqinë. Administrata e kaluar amerikane ka bërë betejë për nene të caktuara, si shpërdorimi i detyrës, por kjo do të ndryshojë. Do hyjë ligji i ri penal, baza e drejtësisë merr tjetër dimension. Pra kjo drejtësi e tashme speciale e SPAK, do të jetë e panevojshme”, tha ndër të tjera Baton Haxhiu.

Pak kohë më parë, Haxhiu u thirr edhe vetë nga Prokuroria e Posaçme për një vilë në bregdet në kuadër të hetimeve për pasuritë e çiftit Meta-Kryemadhi.

Kurse Edit Harxhi hodhi akuza ndaj dy ish-ambasadorëve amerikanë në Tiranë dhe tha se aktualisht ndihmat amerikane për SPAK janë ndërprerë.

“Projektuesi i reformës në drejtësi është George Sorros sepse ajo ka lindur në zyrat e Open Society Foundation në vitin 2014, kur është hedhur për herë të parë ideja e një reforme në drejtësi. Zbatuesit janë absolutisht Donald Lu dhe Yuri Kim. Ata janë zbatues korrekt të projektit të përgatitur nga fondacioni Sorros në Shqipëri.

Kjo është një drejtësi e kapur. Ndaj një nga urdhrat ekzekutivë të firmosur nga presidenti Trump është pezullimi i menjëhershëm i të gjitha fondeve dhe projekteve të SHBA-ve në vende të tjera të botës. Këtu përfshihet asistenca teknike që është dhënë për SPAK, për reformën në drejtësi në Shqipëri, për BKH, të gjitha projektetet e USAID-it, të gjitha projektetet e Ambasadës Amerikane. Të gjitha këto projekte janë pezull, do jenë pezull për 90 ditë derisa të vetohen nga administrata e re”, – tha Haxhi, sipas të cilës urdhëri për prerjen e fondeve për SPAK mund të jetë i përhershëm.