“Personalitet i vlerësuar nga i gjithë komuniteti i futbollit për natyrën e çiltër dhe respektin që kishte për njerëzit e futbollit…”
Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare Stavri Lubonja ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, ish-futbollisti i njohur i Dinamos kampione të viteve ’60.
Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e gjatë ndërsa sot mbylli sytë përgjithmonë në Nju Xhersi. Lubonja ka qenë pjesë e ekipit kombëtar si dhe trajner e zyrtar pranë klubit blu.
Lubonja e kaloi karrierën e tij gjashtëvjeçare si futbollist me klubin kryeqytetas Dinamon, duke fituar tre kampionate. Gjatë sezonit 1959, Lubonja ishte golashënuesi më i mirë i ligës me 11 gola, me Dinamon, e cila përfundoi në vendin e 3-të.
“Një lajm i trishtë për komunitetin e futbollit na erdhi në këtë fundvit. Është ndarë nga jeta Stavri Lubonja, ish-sulmues i shquar i viteve 1950-60 i Dinamos dhe ekipit Kombëtar. Golashënues i spikatur dhe lojtar elegant, që pasi e mbylli me futbollin e luajtur vijoi karrierën si trajner dhe drejtues i klubit Dinamo.
Personalitet i vlerësuar nga i gjithë komuniteti i futbollit për natyrën e çiltër dhe respektin që kishte për njerëzit e futbollit dhe kolegët. I shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Lubonja dhe të afërmve e miqve të tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, shkruan presidenti i FSHF-së, Armand Duka në postimin e tij.