Nuk donte te perfundonte keshtu por…! E trishte çfarë thoshte i ndjeri Agim Doçi për Parashqevi Simakun (video)

Një video e këngëtares Parashqevi Simaku në SHBA ku duket në një gjendje të keqe dhe duke marrë ndihma në një strehimore bëri bujë të madhe në rrjete.

I ftuar para një viti në emisionin ‘’Glamour zone’’, poeti i ndjerë Agim Doçi fliste për fatin e këngëares së njohur shqiptare në SHBA.

Ndër të tjera ai u shpreh se Simaku perëndoi pa dëshirën e saj.

‘’Atë unë e kam dashur si motër dhe ato tre fjalët për Parashqevinë janë: një yll që perëndoi pa dashjen e saj’’, thoshte Doçi.

Jeta private e këngëtares aq shumë të dashur për publikun shqiptar, Parashqevi Simaku, prej vitesh ishte dhe vijon të jetë thuajse hermetike.

Nuk dihet arsyeja që e çoi atë në një vendim drastik për të mos u bërë pjesë e skenës dhe medias, edhe pse ishte një nga këngëtaret më në zë në vitet ’80 në vendin tonë. Por deri rreth viteve 2000, ajo kishte dhënë disa intervista ku fliste për jetën në SHBA, sfidat dhe momentet e lumtura.

Një prej tyre që ajo kishte zgjedhur ta ndante me publikun në një rrëfim për gazetën “Koha Jonë” vite më parë, ishte pikërisht njohja dhe historia e dashurisë me ish-bashkëshortin e saj amerikan, me emrin Robert, me të cilin ka sjellë në jetë një djalë.

Por çfarë rrëfente ajo në atë kohë?

“Dita e të dashuruarve. Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Merlin Monro”, tregonte ajo në ’97.

“Nuk pata ndonjë romancë dashurie, sepse e vetmja dashuri që më ka lindur, më zhvillohet dhe besoj s’do më vdesë kurrë, është muzika, por s’kam harruar kurrë se në jetën time familja zë një vend të rëndësishëm.

Njohja jonë erdhi për shkak të punës së përbashkët. Ai ishte instrumentist, i binte kitarës dhe këndonte në grupin, ku e shoqëruar nga 6 muzikantë, unë këndoja. Ndërsa po i jepnim dorën e fundit punës për të përfunduar albumin tim, më pyeti një ditë nëse mund të dilnim bashkë.

Një shqiptare nuk thotë menjëherë po, qoftë dhe në Amerikë. Unë kujtoj t’i kem thënë: “Puno me mua, ose dashurohu me mua”, ndërsa ai m’u përgjigj se nuk do t’i pëlqente t’i ndante. Ai është shumë simpatik dhe unë duke i lënë refuzimet mënjanë, i shpjegova, që më parë duhet të respektonte traditën e vendit tim, pra t’i kërkonte dorën e vajzës, prindërve të mi, me anë të një letre.

Kjo në fillim s’i pëlqeu shumë, por duke shkruar një letër të gjatë, të gjatë, nisi t’i dukej gati zbavitës fakti që iu shkruante dy njerëzve të panjohur, kundrejt të cilëve ndjente detyrim shpirtëror. Prindërit e mi i kthyen përgjigje pas dy javësh dhe pasi u prezantova në familjen e tij, për të dy nisi një jetë tjetër, një jetë e përbashkët që na duket sikur do të vazhdojë përjetësisht. Me kohë, kam kuptuar se ia vlen të ndash jetën tënde me një njeri të mrekullueshëm si Robert.

Është vështirë të flasësh për burrin tënd, por ajo që më duket kryesorja është ndjeshmëria e tij, ngrohtësia njerëzore me të cilën të rrethon, dashuria që të dhuron. Unë kisha shkruar një listë dikur, me 10 veti që duhet t’i kishte bashkëshorti i ardhshëm. Roberti ka 13. Nga Shqipëria ika zemërthyer prej lidhjes me një njeri i cili dukej se ecte në një rrugë krejt të kundërt nga e imja. Kur kuptova se sado të përpiqesha, rrugët tona s’do e kishin kurrë një pikë të përbashkët, sakrifikova dhimbjen time, për t’u larguar drejt së panjohurës, por jo me ide krejt të paqarta, pse ajo që gjithmonë më ka udhëhequr, ka qenë ambicia për të ecur në rrugën e artit”, tregonte ajo.