Kanë kaluar shtatë ditë nga vetëvrasja e 17-vjeçares nga Gjirokastra, Irsa Muçollari, e cila i dha fund jetës për shkak të bullizimeve që asaj i bëheshin.
Prindërit e saj të pikëlluar kanë nxjerrë detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje kaq të rëndë. Të ftuar në ’’Top Channel’’, babai Ilir Muçollari dhe nëna Mirela Muçollari kanë folur rreth humbjes e vajzës së tyre, duke shprehur se do iu mbetet peng gjithë jetën, për faktin që nuk e kuptuan dot gjendjen e saj.
“Do më mbetet peng tërë jetën dhe në kokën time kam vetëm ‘PSE? PSE?’. Kush ma mërziti kaq shumë dhe nuk e kuptoi asnjë njeri? Ne e donim aq shumë. Unë për atë jetoja për atë punoja! Të gjesh fëmijën kur vjen nga puna në atë gjendje. I dhashë frymë, nuk e shpëtova!”, është shprehur mamaja Mirela.
Gjithashtu, babai i saj ka thënë se kohëve të fundit e kishte e vënë re ndryshimin e sjelljes së saj, por që nuk i shkonte ndërmend se ajo do të shkonte deri në vetëvrasje.
“Kohët e fundit e shikoja që kishte ndryshuar sjellje, ishte pak me e mërzitur, por nuk na shkonte mendja për vajzën që të shkonte deri në këtë pikë. Se ka qenë shume e sjellshme, shumë e mirë, shumë e urta, e pyesja sa vinte nga shkolla: ‘Si kalove të keqen babi?. Mirë, babi mirë’. Edhe kjo na ka çuditur”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, të dy kujtojnë të pikëlluar bisedat e fundit që kishin bërë me 17-vjeçaren përpara se ajo të kryente aktin e vetëvrasjes. Ata shprehen se vajza i kishte paralajmëruar të ndërronte klasën, pasi sipas saj nuk mund të duronte dot bullizimet e shokëve dhe shoqeve për 6 orë çdo ditë.
“Ditën e fundit më ka ardhur 20 minuta para se të mbaronte shkolla, më tha mbaruam shpejt. Para një jave i tha duke qarë mamasë ma ndërro klasën se ata nuk mësojnë. Janë 6 orë si do duroj çdo ditë kështu.
“Bëjnë si të çmendur më tha mua. Qeshin kot, flasin kot dhe nuk më pëlqen. Donte të shkonte te klasa që kishte shoqet e 9-vjeçares. I thashë merru me veten, injoroji ata. Ashtu bëj më tha, por janë 6 orë o mami më tha. Të marr mësuesen, të ndërrojmë bankën. Jo, jo tha se është më keq ashtu. Si duket i vinte turp se do ta bullizonin shokët përsëri. Jo, jo, bëra gabim që të thashë…”, janë shprehur ata.
Gjithashtu, i ati ka folur për gjetjen e disa letrave që ishin në gjuhën angelze dhe flisnin për bullizmin. Njëra prej letrave mbante të shkruar dyjëzimin e vajzës në qoftëse duhej t’i tregonte babit apo jo.
“Kanë gjetur disa letra që shkruanin në anglisht për bullizimin. Në një letër tjetër shkruante t’i them babait apo jo?”, tha Iliri.
Sakaq, ata kanë zbuluar se e bija ka qenë kampione shahu, kishte talent në pikturë, si dhe ishte shumë mirë në gjuhët e huaja. Për mësuesit e ëma ka thënë se i thonin gjithmonë se ishte shumë e mirë në mësime, por pak e ndrojtur.
“E ke shumë të mirë më thoshin mua dhe mësueset. Është pak e ndrojtur…Po ashtu ka tipin ju thoja. Por aktivizojeni që të çiltërsohet. Ishte më e mirë seç duhet, u mbyll në vetvete dhe i mori me vete të gjitha. Edhe t’i jepje 200 lek, edhe 100 lek apo mos t’i jepje fare nuk kishe shqetësim prej saj. Aq e mirëkuptueshme ishte. Nuk kërkonte kurrë asgjë me zor. Irsa kuptonte çdo gjë. Tani vështirësi ekonomike kemi të gjithë! Por Irsës nuk i kemi lënë gjë pa plotësuar”, ka thënë e ëma.
Prindërit nuk ngurrojnë dhe të japin një mesazh për të gjithë duke thënë se nuk duhet të ndodhi të tjerëve, t’ju shërbejë të gjithëve si një mesazh që nuk duhet neglizhuar.
“Kur vijnë prindërit këtu që ngushëllojnë, të gjithë tregojnë që i kemi të bullizuar dhe jemi shokuar komplet, më thenë se sa është në masë bullizimi, sa është. Na ndodhi ne, të paktën mos t’iu ndodhi të tjerëve, të jetë si këmbanë alarmi, të rrinë sa më afër fëmijëve, t’i pyesin për çdo gjë.
Prindërit mos mendojnë asnjëherë se fëmijët i kanë të përsosur pa shkuar te shkolla, pa parë nivelin e klasës se do pësojnë pa pritur dhe pakujtuar”.