Te tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja tragjike e ndodhur një ditë më parë në Shkodër ku 34-vjeçari Kolë Manaj plagosi me armë zjarri bashkëjetuesen e tij 44-vjeçare, Anila Prendushi Ndoka dhe më pas vrau veten.
Lidhur me këtë ngjarje së fundmi ka folur një nga të afërmit e 34-vjeçarit. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Me Zemër të Hapur”, familjari i Kolë Manaj ka dhënë detaje lidhur me marrëdhënien e kushëririt të tij me Anilën.
Ai pohoi se këtë të fundit e ka si motër dhe se çifti javëve të fundit ka pasur konflikte me njëri-tjetrin.
Sipas asaj që ky shtetas ka deklaruar, 44-vjeçarja i kishte kërkuar të ndaheshin pasi nuk e falte dot për diçka që Kolë Manaj kishte bërë.
“Kanë pasur disa konflikte kohët e fundit por menduam se gjithçka do të rregullohej. Kishin vite bashkë dhe ishin shumë njerëz të mirë, atë e kam si motër. Nuk e di a do të shpëtojë apo jo, por unë e kam si motër. Nuk e di, ai vetëm për atë që ka bërë Anila për babanë e tij nuk ishte dashur të bënte asnjë veprim. Nuk kanë pasur fare xhelozi për të. Kola ka qenë i martuar më parë shumë pak kohë. Nuk e di çfarë problemi kishin, por kishin një debat dhe ky i kërkoi shumë falje por ajo nuk e fali”, tha ai.
Sakaq, hetuesit kanë zbardhur dhe disa mesazhe që 34-vjeçari i kishte dërguar partneres së tij para se të kryente aktin ekstrem.
Një nga mesazhet e fundit, i dërguar pak para ngjarjes, tregon dhe gjendjen të rëndë psikologjike që Manaj ndodhej ditën e djeshme.
Ai i kishte kërkuar partneres së tij me të cilën kishte 5 vite që bashkëjetonte që të takoheshin, duke e paralajmëruar se do të lëndonte veten nëse ajo nuk pranonte që të dilte. Ajo i është përgjigjur duke i kërkuar që të mos bënte veprime të gabuara dhe se të vinte ta merrte te vendi i punës.
Pas kësaj bisede, Manaj është paraqitur pranë vendit të punës së Prendushit ku ajo është futur në makinën e tij dhe më pas ka nisur një debat mes tyre.
Debat i cili më pas ka përfunduar tragjikisht, pasi 34-vjeçari qëlloi me plumb në kokë Anilën dhe më pas qëlloi po në kokë veten. Ky i fundit ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa 44-vjeçarja ndodhet në Spitalin e Shkodrës duke luftuar për jetën.
Ditën e djeshme u tha se 44-vjeçarja do të transportohej drejt Spitalit të Traumës për një trajtim më të specializuar, por mjekët vlerësuan se gjendja e saj nuk e lejonte transportin.