Shqiptarët e diasporës kanë edhe 26 ditë kohë për t’u regjistruar si votues nga jashtë në uebsajtin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deri tani janë miratuar thuajse 100 mijë emigrantë, në një kohë kur mesatarja e aplikimeve është rreth 5500 në ditë.
Duke u hedhur një sy të dhënave zyrtare të deritanishme, rezulton se Diaspora do të prodhojë mandate të plota në 5 qarqet më të mëdha të vendit: Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Trendi aktual i regjistrimeve tregon se në Tiranë diaspora mund të ndikojë në prodhimin e dy mandateve dhe, nëse regjistrimet vijojnë me këtë ritëm, Diaspora mund të prodhojë 3 mandate në këtë qark, ku deri tani janë miratuar 20 mijë votues nga jashtë.
Ndërkohë, në Fier, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, deri tani diaspora duket se do të prodhojë nga një mandat për qark. Më pak regjistrime deri tani ka në qarqet Kukës, Dibër, Gjirokastër, Lezhë dhe Shkodër.
Është e kuptueshme se në qarqet e vogla ka më pak të regjistruar, por edhe aty Diaspora ka shanse të mira për të ndikuar në ndarjen e mandateve.
Bazuar në ritmin e deritanishëm, llogaritet se Diaspora do të ketë gjithsej mbi 150 mijë votues me postë, ku vetem deri tani jane 100 mije vota te aprovuara. Zgjedhjet e 11 majit janë të parat në histori, ku emigrantët kanë të drejtën e votës nga vendi ku banojnë. Diaspora mund të sjellë surprizën e madhe në këto zgjedhje, sepse pritet të përcaktojë deri në 13 mandate.
Loja ka ndryshuar totalisht. Askush nuk mund t’i parashikojë këto zgjedhje, sepse Diaspora është e pakontrollueshme, pavarësisht presioneve ndaj administratës publike për të mbledhur vota në Itali apo Greqi.