Prokuroria e Kukësit akuzon vëllezërit Muçmata për “vrasje me paramendim” por fillimi i sherrit mes tyre dhe kushëririt të kryebashkiakut ishte një vend pune, i pamerituar, por nepotizëm i pastër që ka ndodhur para syve të të gjithë qytetarëve kuksianë.
Më 19 shkurt, qyteti i Kukësit u trondit nga një plagosje e cila zbuloi konfliktet për terren politik në nisje të fushatës elektorale në bazën e Partisë Socialiste. Replikë ka raportuar ekskluzivisht disa ditë më parë se dy palët e përfshira në sherr kishin edhe përplasje për çështjen e drejtuesit politik të PS.
Sot, Replikë shkon më tej. Një burim i brendshëm në bashkinë e Kukësit, i tha Replikë se i plagosuri, Elvis Halilaj ishte emëruar në bashkinë e Kukësit dhe ishte vartës i Zenel Muçmatës, drejtori i Bashkisë tashmë i arrestuar.
Por edhe pse emërimi i kushëririt të kryebashkiakut Halilaj është një nepotizëm i pastër dhe është një tjetër shkak për hetim, ky element ka kaluar pa u vënë re. Po të njëjtat burime i thanë Replikë, se Halilaj nuk shkonte në punë në Bashki dhe shefi i tij, Zenel Muçmata ishte i detyruar të mbante shënim mungesat e tij. Pas një muaji mungesa të pajustifikuara ai vendos të zgjidhë kontratën me të dhe ta largojë nga detyra. Ky moment përkon edhe me një tjetër zhvillim të pakënaqshëm për Albert Halilajn.
Koha e tij si drejtues politik në Kukës mbaroi dhe në vend të tij vjen Eduart Shalsi. Mbështetja e familjes Muçmata ishte për Shalsin dhe jo për Halilajn.
Kështu, Halilaj mbledh grupin e tij përfshirë dhe Elvis Halilajn dhe nis sulmi i koordinuar.
Ata nisin të dërgojnë mesazhe në Facebookun e Sali Berishës dhe ankesa në të gjitha kanalet e komunikimit të Partisë Socialiste. Kërkesa ishte një: Largimi i Shalsit.
Një ditë më pas, dhunohet Zenel Muçmata. Të nesërmen, i vëllai i tij, Sebastiani merr armën e zjarrit dhe plagos Elvis Halilajn.
Ka qenë ky shkaku përse Zenel Muçmata thotë “mbrojta familjen time”.
A mund të mbrojë familjen e tij një njeri përballë një kryetari bashkie i cili vepron si kryetar i një bande dhe jo i një qyteti? Albert Halilaj duhet të sqaronte qytetarët kuksianë për konfliktin e nisur prej emërimit nepotik që bëri në Bashki duke emëruar farefisin. Por kjo nuk ka ndodhur. Replikë ka tentuar prej ditësh të flasë me Halilajn, por ai është zhdukur. Ku të jetë vallë? A do të ketë kurajo të dalë përballë qytetarëve më 11 maj?/Replikë