Më 29 nëntor bëhet një vit nga tragjedia që tronditi gjithë Kosovën, vrasja e Liridona Ademajt, 30 vjeçares nga Gjakova. Liridona ishte një nënë dhe grua që humbi jetën në një akt të dhunshëm dhe të pabesë, një viktimë e një krimi të rëndë që ka lënë pas dhimbje të thella për familjen dhe të gjithë ata që e njohën.
Në vrasjen të cilën sipas dosjes së prokurorisë u porosit nga ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseliu, u përfshin edhe dy persona tjerë, Kushtrim Kokalla, dhe Granit Plava. Për të vrarë gruan e tij, Naimi raportohet se i kishte premtuar dorasit, Granit Plava deri në 30 mijë.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, në një rrëfim prekës për Telegrafin, ka ndarë përvojën e dhimbshme të tij dhe të familjes, duke folur për momentet e fundit të motrës së tij. Ai ka shpjeguar se Liridona u vra në veturë, përpara fëmijëve të saj të mitur, dhe në praninë e bashkëshortit të saj, Naim Murselit.
“Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda që ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nënë para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që Prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit”, ka thënë ai.
Ai theksoi se ngritja e aktakuzës dhe dënimi maksimal i autorëve të krimit do të ishte një lehtësim për familjen e tij dhe për gjithë shoqërinë.
“Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe së bashku të tre duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një person që e njeh se mund ta kryej këtë punë. Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat”, theksoi ai.
Ai vazhdoi të ndan detaje të tjera të dhimbshme nga vrasja: “Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrengueshëm për krahu Naimi, në veture në prezence të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë”.
Fëmijët e Liridonës janë aktualisht nën kujdesin e autoriteteve sociale në Suedi, dhe, sipas Leonardit, ata janë shumë të shqetësuar për momentet e fundit që kanë kaluar me të ëmën dhe për tradhtinë që kanë pësuar nga babai i tyre.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët dhe falënderojmë autoritetet suedeze për kujdesin që po u ofrojnë. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik që vrasja të kryhet sa me lehtë”, u shpreh ai.
Në fund, Leonardi falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur familjen gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Falënderojmë të gjithë ata që na kanë shprehur ngushëllime, bashkëndjenjë dhe solidarizim. Ky është një moment shumë i dhimbshëm, jo vetëm për familjen tonë, por për gjithë shoqërinë kosovare. Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten kurrë më”, përfundoi Leonardi Ademaj.
Ndryshe, Naim Murseli, ish-bashkëshorti i viktimës, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, po vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë, ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se lënda është ende në procedurë hetimore.
“Lidhur me pyetjet tuaja, Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton se lënda është në procedurë hetimore, në momentin që vendosim lidhur me epilogun e rastit, do të japim informacionet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Për vonesën e ngritjes së aktakuzës është deklaruar edhe avokati Musa Damati.
Damati në një deklaratë për Telegrafin u shpreh se ka mungesë të efikasititeti në trajtimin e rasteve të tilla të ndjeshme.
“Vonesat e tilla nga ana e organit të akuzës nuk mendoj se mund të bëhen për shkak të kompleksivitetit të hetimeve, por më tepër për shkak të mungesës së efikesitetit në trajtimin e rasteve të tilla të ndjeshme, të cilat duhet të trajtohen me prioritet. Për dallim nga prokuroritë e vendeve të zhvilluara evropiane apo atyre në SHBA, ku prokuroritë janë efikase dhe transparente madje duke organizuar edhe konferenca për shtyp në intervale stade të ndryshme të procedurës, një qasje e tillë nuk është evidente në Kosovë”, ka pohuar ai.
Duke folur për trajtimin e rasteve të ndjeshme, avokati Damati tha se pas provimit të fajësisë, të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
“Prokuroritë në rastet e tilla dhe të ndjeshme ashtu si në rastin e Banjskës dhe raste të ngjashme, duhet të karakterizohen nga efikasiteti profesionalizmi por edhe transparenca duke mos i dëmtuar konfidencialitetin e hetimeve njëkohësisht. Sanksioni penal për veprat e tilla të rënda penale pas provimit të fajësisë në procedurën gjyqësore, mund të rezultojë deri në burgim të përjetshëm”, potencoi avokati.
Ndryshe, viktima, Liridona Ademaj pas vetës ka lënë dy djem, vrasja e saj kishte nxitur reagime të ashpra në shoqëri.
Naim Murseli, ishte figurë e njohur në Kosovë, ai për një kohë kishte punuar si këshilltar politik i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. /Telegrafi/