Fatime Gashi, 58 vjeç, mund të ishte kthyer në viktimën e tretë të kredive të këqija. Lajmi se ajo tentoi që t’i vinte flakën vetes me benzinë në mes të Durrësit shokoi opinionin publik, edhe pse nuk është rasti i parë. Vetëm pak kohë më parë të njëjtin veprim ka bërë edhe Pal Trashaj dhe Olsi Ibro, por këta të fundit, nuk mbijetuan dot. Por cilat ishin arsyet që e çuan të moshuarën drejt kryerjes së aktit të rëndë të vetëvrasjes?
Një kredi prej 1 milionë lekësh! Në emisonin “Me zemër të hapur”, Fatime Gashi u shpreh se kishte pësuar djegie në të dyja këmbët dhe se ende ishte e shtruar në repartin e plastikës, ku ende po merr mjekim. Në rrëfimin e saj edhe për “TopChannel”, ajo tregoi se ka pasur edhe më parë probleme shëndetësore, por sërish ka punuar gjatë sezonit të verës për të mbyllur kredinë që kishte marrë. Edhe pse kishte huazuar vetëm 1 milionë lekë të vjetra, 6 muaj e kishte paguar rregullisht, e më pas, për shkak të problemeve shëndetësore që kishte pasur nuk ia kishte dalë dot më.
PJESË NGA INTERVISTA:
Keni trokitur në Bashkinë e Durrësit?
Fatime Gashi: Jo një herë por njëqind herë. Kam marrë në telefon një vajzë dhe më është përgjigjur se nuk kam mundësi të të ndihmoj.
Po me këtë vendim që more mendon se do zgjidhet?
Fatime Gashi: Më mirë të kisha vdekur, nuk e dua më jetën se kam vuajtur shumë. 24 vite mbas vdekjes së bashkëshortit kam vuajtur, gjithë jetën më qera. Nuk e përballova dot. Vetëm presioni që më bëri kjo kredia…Edhe sot që jam në spital më marrin në telefon. I thashë që jam në spital, më tha “ç’më duhet mua ku je ti”. Kam për të bërë pagesën.
Sa kredi ke marrë?
Fatime Gashi: 1 milion lekë të vjetra. Për ilaçe dhe për bukë, për asgjë tjetër.
Çfarë pune bëre gjatë verës?
Fatime Gashi: Në plazh, ja ashtu me zor. Shisja kremëra dhe vajra në plazh. Unë edhe vjet kalova paralizë dhe ndenja 1 javë në spital në Tiranës. Kam qenë sëmurë. Më ndihmoi shumë ai doktori dhe nuk më mori asnjë lekë se e pa gjendjen time. Nuk kam ç’të bëj prandaj e mora këtë vendim. Është hera e dytë që e bëj. Kam tentuar të vetëdigjem para Bashkisë Durrës në 2020, sepse nuk na përgjigjet Bashkia, na kanë përçmuar. Vetëm djali punon, kurse unë marr pension 90 mijë lekë. Jetoj vetëm me djalin, ai është i ndarë, vajzën e tij e ka marrë nusja. Bashkëshorti ka 24 vite që ka ndërruar jetë, jam e vetme me 100 halle. Shtëpi në shtëpi, me qira./ZËRI