Më 26 Dhjetor 2024, kryebashkiaku i Tiranës qëndroi në SPAK për rreth 5 orë ku u mor në pyetje nga prokurorët e dosjes së tij, Ols Dado dhe Altin Dumani.
Sot, më 10 Shkurt 2025, Veliaj u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion, tregoi për herë të parë se çfarë ndodhi në atë seancë marrjesh në pyetje, ku pati debat të fortë dhe fyerje personale.
“Pasi janë kqyrur të gjitha, është kaluar në pyetjen e personave. Është pyetur z.Veliaj. Po e them sonte publikisht që z.Veliaj ka patur një debat shumë të fortë me prokurorët e çështjes, ka shkuar një debat deri në fyerje personale me njërin nga dy prokurorët e çështjes. Ka qenë një seancë shumë e tensionuar e marrjes në pyetje. Kjo është e gjitha e filmuar. Janë rekorde që janë në Prokurorinë e Posaçme. Dhe në momentin që doli, z.Veliaj foli për metoda të sigurimit nga SPAK-u”, u shpreh gazetarja Lala.
Duke folur në programin “NOW me Erla Mëhillin“, gazetari Eni Ferhati tregoi detaje të reja lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ferhati shpjegoi se SPAK mund të ketë gjetur informacione të rëndësishme në telefonin që i sekuestroi bashkëshortes së Veliajt.
“Zonjës Ajola Xoxa i është sekuestruar aparati celular prej gati dy muajsh dhe ka qenë një send ndaj të cilit janë kryer ekzaminimet përkatëse. Kam përshtypjen se një pjesë e mirë e dyshimeve lidhur me këtë skemë korruptive, që pretendon prokuroria, mund të ketë ardhur nga ky aparat celular. Halli këtu është i ngjashëm me rastin e z. Meta, kur telefoni i zonjës Kryemadhi e mori në qafë, në kuptimin figurativ”, tha Ferhati.
Ai ka sqaruar gjithashtu një debat të ashpër që ka ndodhur mes Veliajt dhe prokurorit të kësaj çështjeje, Olsi Dado, duke theksuar se ky konflikt mund të ketë pasur ndikim në pozitat e të akuzuarit.
“Veliaj e ka kaluar dy herë pragun e SPAK, një herë për inceneratorin dhe një herë për këtë dosje, për të cilën është në qeli. Gjatë seancës ku është marrë në pyetje herën e fundit për këtë dosje, ka pasur një përballje dhe një debat personal me prokurorin Olsi Dado, të cilin nuk e di nëse e ka rënduar pozitat e tij, por debati ka dalë jashtë kontekstit juridik,” – shpjegoi Ferhati.
Sipas gazetarit, situata do të bëhet më e qartë pasi të publikohet vendimi i gjykatës, i cili ka një vëllim prej rreth 350 faqeve.
Sa i përket shifrave të përmendura në hetim, ai ka thënë se flitet për shuma mbi 2 milionë euro, dhe se brenda 72 orëve do të kemi një qëndrim tjetër për Veliajn. Ai ka përmendur gjithashtu faktin se Veliaj mbetet në bllokun e sigurisë në Tiranë, duke shtuar se kjo është një masë që lidhet me detyrën e tij si zyrtar dhe është hera e parë që BKH futet në zyrat një zyrtari të këtij niveli.
“Zoti Veliaj duhet të dërgohej në Drejtorinë e Policisë, por në fakt ai u dërgua direkt në bllokun e sigurisë. Kjo butësi e policisë lidhet me faktin se ai është një zyrtar në detyrë dhe është hera e parë që BKH hyn në zyra të një zyrtari të këtij niveli,” – tha Ferhati.