Detaje të reja janë mësuar lidhur me ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku një shtetase e huaj u gjet e vdekur brenda një apartamenti të marrë me qira. Viktima dyshohet të jetë një shtetase gjermane, rreth 30 vjeç, dhe sipas hetimeve paraprake, mendohet se ka humbur jetën më shumë se një ditë më parë.
E reja kishte marrë banesën me qira në rrugën “Gjon Muzaka” vetëm një javë më parë dhe jetonte e vetme. Policia dhe grupi hetimor kanë konstatuar plagë në trupin e saj, të shkaktuara dyshohet me një mjet prerës.
Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjekoligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes. Policia po punon për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një akt kriminal apo vetëvrasje.
Autoritetet kanë nisur verifikimet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po marrin në pyetje persona që mund të kenë patur kontakte me të ndjerën, për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje.
Nga informacionet paraparake, 30-vjeçarja së bashku me partnerin e saj kishin marrë me qira banesën në Tiranë që prej datës 19 shkurt. Fillimisht pronarja u ka kërkuar një mjet identifikimi, por ata nuk ia kanë dhënë duke u shprehur se nuk i kanë me vete.
Pronarja ka trokitur përsëri në derën e shtëpisë ditën e sotme ndërsa askush nuk është përgjigjur më. Më pas është lajmëruar policia, të cilët në momentin që janë futur brenda në banesë, është konstatuar trupi i viktimës, e cila ishte goditur me një thikë në bark.
Sipas dyshimeve paraprake, 30-vjeçarja është goditur nga partneri i saj, gjithashtu dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur disa ditë më parë teksa gjaku është gjetur i tharë në dysheme.
Partneri i 30-vjeçares nuk është gjetur në banesë, po ashtu as pasaportat e tyre dhe as mjetet e identifikimit, duke ngritur dyshimet se ky i fundit mund të jetë larguar dhe nga Shqipëria, ndërsa tashmë është shpallur në kërkim nga policia.
Ende nuk është e qartë se nga cili shtet ata vinin, por të dhënat e deritanishme dyshohet se janë nga Lindja e Mesme, pasi dhe viktima i përkiste fesë myslimane thënë kjo dhe nga veshja tradicionale e fesë që ajo mbante si dhe nga gjuha arabe që ata përdornin për të komunikuar.