Kur ka kaluar gati dy muaj pas arrestimit, në kufirin “Franko-Gjerman” është arritur ekstradimi i Behar Bajrit në Shqipëri, ku do të përballet me 5 vepra penale, ndër më kryesoret “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Vrasje me paramendim”.
Behar Bajri mësohet ka ardhur dje në Tiranë, me një fluturim të drejtpërdrejtë nga Franca, në masa të forta sigurie.
Në ditët në vijim Bajri do të dalë dhe para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë të nxjerrë më 28 korrik. Prej asaj kohe policia mblodhi informacione për të dhe e lokalizoi në një lagje në Strasburg, ku jetonte së bashku me familjen. Të dhënat e grumbulluara dhe kartela e kuqe iu dorëzuan autoriteteve franceze që e arrestuan në një lokal.
Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre.
Në këto komunikime, dilte se biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet rryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin.
Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën.
Pas vendimit për ekstradimin e Bajrit, Sali Berisha befas ka ndërprerë sulmet ndaj Behar Bajrit dhe grupit të tij.
Behar Bajri besohet se kishte lidhje të forta jo vetëm në polici, prokurori dhe gjykata, por edhe lidhje politike me të gjitha krahët.
Arsyeja se pse Sali Berishës i ka ikur zëri besohet se ka të bëjë me Shkëlzenin.

Në shtator të vitit 2018, Sali Berisha befas u shfaq me jelek anti-plumb në mbledhjet e opozitës në Shkodër.

‘Blindimi’ i Berishës ra në sy dhe ngriti hamendësime pasi prej vitesh Berisha nuk e vishte anti-plumbin.
Që nga shtatori 2018 ish kryeministri rralloi vizitat në Shkodër.
Tre vjet më pas, në 1 tetor 2021, Sali Berisha u shfaq në Shkodër pa jelekun anti-plumb.
Çfarë ndodhi rrugës në prapaskenë që Sali Berisha pas tre vitesh u zhvesh nga anti-plumbi në Shkodër?
Kujt i frikësohej Sali Berisha dhe kush ia hoqi nongratën në Shkodër?
Kjo pyetje mund të marrë përgjigje nga përmbajtja e dosjes Metamorfoza 2.
Një individual i katërt, dëshmitar okular ka folur për një takim mes Shkëlzenit dhe Behar Bajrit në shtëpinë e Vis Martinajt dhe në restorantin e këtij të fundit në Patok, me ndërmjetësimin e Martinajt, në pranverë të vitit 2021.
Sipas këtij rrëfimi, Behar Bajri, protagonist i dosjes Metamorfoza 1, ishte i inatosur dhe kishte paralajmëruar Sali Berishën që të mos e lakonte më emrin e tij, duke bërë politikë.
Ka mjaftuar ky mesazh që Berisha të vishej me anti-plumb në vitin 2018.
Në vijim, në mes ka hyrë Ervis Martinaj, mik me Bajrat dhe nga ana tjetër një nga lidhjet më të ngushta të Shkëlzenit.
Nuk është sekret që Martinaj ishte një nga financuesit Shkëlzenit dhe të fushatave elektorale të PD, si dhe mbështetës me ushtrinë e tij.
Martinaj, sipas personit të katërt, ka mundësuar uljen në tavolinë të Shkëlzenit me Behar Bajrin.
Dy ishin hallet e Shkëlzenit.
Së pari të qetësonte Behar Bajrin, duke i thënë se Berisha ashtu e kishte me të gjithë, është i moshuar, bën politikë, të mos e merrte seriozisht etj. Në fakt, Shkëlzeni ishte i shqetësuar se mund të ishte objekt i pasojave të veprimeve dhe kusureve të panumërta të babait.
Së dyti, Shkëlzeni kërkonte mbështetje për zgjedhjet parlamentare të 2021.
Në këtë takim është arritur njëfarë qetësimi dhe ulje tensionesh me Bajrat.
Sali Berisha zbuti retorikën dhe në Syrin.internet u hoqën shumë shkrime akuzuese dhe deklarata të Berishës kundër Bajrave.
Retorika u rikthye vetëm pasi Berisha humbi për herë të parë pas 32 vitesh Shkodrën dhe vetëm pasi SPAK goditi Bajrat në kuadër të dosjes franceze Metamorfoza.
Ndërkaq, sa i takon kërkesës për mbështetje në zgjedhjet e 2021, Shkëlzeni thuhet se ka marrë në atë takim 2 milionë euro nga Vis Martinaj.
Një detaj interesant është se eurot kanë qenë që të gjitha prerje 20 të vakumosura.
Nuk dihet nëse Shkëlzeni i ka mbajtur paratë për vete apo i ka çuar tek selia e PD, në atë kohë me në krye Lulzim Bashën.
Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse ky takim do të reflektohet në përmbajtjen e dosjes Metamorfoza 2.
Por, nuk ka dyshime dhe është e faktuar se Sali Berisha me të birin përbëjnë sot dyshen më të famshme të gjobëvënies në Shqipëri.
Një listë e gjatë me të ashtuquajtur oligarkë, me investitorë strategjikë, biznesmenë, pushtetarë, bosë të krimit dhe korrupsionit, të cilët nuk lakohen dhe akuzohen më nga Sali Berisha, paguajnë me ose pa fatura Shkëlzenin.
Marrim dy-tre shembuj konkretë. Për vite me radhë Berisha akuzonte Tan Dulakun për pastrim parash dhe grabitje të pasurive publike.
Pse nuk e përmend më Berisha? Sepse Dulaku, i kosideruar si themeluesi dhe hinka e pastrimit të parave në Shqipëri, financon Syri Television, median e Familjes Berisha.
Berishës që vështirë t’i shpëtojë njeri me aktivitet të dyshimtë, nuk e përmend kurrë bosin e kokainës Trifon Muratajn, në kërkim nga drejtësia.
Muratajt financon Shkëlzenin me dhe pa fatura, ndërsa fshihet tek pallati i Bashkim Ulajt, aty ku ka zyrën Berisha.
Sali Berisha nuk i përmend kurrë koncensionin 1.2 milionë euro Milot-Fier, koncensionin e laboratorëve në Shëndetësi, gangrenën me Rrugën Arbërit etj., pasi përfituesit e këtyre koncensioneve korruptive paguajnë që të gjithë Shkëlzenin, madje Bashkim Ulaj menaxhon paratë e Familjes Berisha.
Gjithashtu, oligarku i Kodrës së Diellit, Gentjan Sula, sipas faturave që ka siguruar Prapaskena, i jep çdo muaj televizionit të Familjes Berisha 4 milionë lekë, përmes kompanisë së ndërtimit, S&D Make investments, e cila ka bërë kërdinë me grabitjen e pronave në Jug, për të ndërtuar resorte.
Sula, i cili ka marrë mbi 50 milionë euro tendera klientelistë me kompaninë Agi Kons, po zapton edhe Liqenin e Farkës me kompleks vilash.
I përfshirë në korrupsion madhor edhe në Kosovë, Gentjan Sula ka ndërtuar pallatin e Monika Kryemadhit në Laprakë, ndërsa në zyrat e tij ndodhet televizioni i Berishës.
Gentjan Sula është përfshirë në grabitje pronash me letra false në Jug si dhe korruptim të gjyqtarëve, histori për të cilin do të flasim në vijim. Madje Sula u ka dhënë edhe vila te Kodra e Diellit dy personazheve, përmes të cilëve Shkëlzeni menaxhon Syri Television.
Janë mbi 50 biznesmenë që financojnë TV Zenin, të cilët marrin leje, licenca dhe fonde publike nga pushteti i Rilindjes.
Këtu po flasim vetëm për pagesa zyrtare përmes bankës dhe jo për paratë money, prona, vila dhe apartamente që Familja Berisha ka marrë drejtëpërdrejt apo në mënyrë të kamufluar nga klientët e pushtetit aktual.