Sonila Meço tregon historine TRONDITËSE te saj ne rini: Si u be shoqja ime prostitute, tjetren e perdhunuan shoket ndersa

Sonila Meço ka bërë një shkrim për vrasjen e rëndë të 14-vjeçarit në Tiranë.

Me këtë rast, ka treguar dhe dramat e saj në rini.

Postimi i Sonilës

Në atë biçim sheshpushimi mes pallateve të ngucur të vërtitet rregullisht hundëve aroma e hashashit. Dhe po aq brutalisht të përplaset fytyre imazhi i adoleshentëve, që e tymosin pa u tutur aspak nga prezenca e kalimtarëve.

‘Në klasën time edhe vajzat mbajnë çakmak dhe biçak’, më thotë djali 14-vjeçar i mikeshës sime.

‘Po, po, me duhan nëpër banjo shkollash dhe me ç’kam dëgjuar nga mësuese edhe shiringa janë gjetur në to. Ç’nuk shohin e dëgjojnë muret e tyre!’, vijon e rrjedhshme në shpjegime mikesha ime, teksa habitet me habinë time. Sepse unë jam mama e një 13 vjeçareje, si mund mos të di se këto janë normaliteti i përditshmërisë së adoleshentëve të sotëm?!

Por nuk qe habia, që po më shqyente sytë, por tmerri, sepse instiktivisht çdo rrëfim ishte në përfytyrim të voglën time në ambjente e sjellje të ngjashme.

I kam debatet të përditshme me të në këtë fazë jete, më akuzon shpesh se jam brez tjetër e se gjërat kanë ndryshuar shumë. E kam bërë edhe unë me prindërit e mi, sport i njohur. Janë stresuar edhe ata me mua, kanë çapëlyer sytë e janë shastisur, janë tmerruar e kanë duruar netët me pagjumësi prej adoleshencës sime e jo domosdoshmërisht për fajin tim.

Në adoleshencën time armët qenë sheshit, rrëmbimet bëheshin në mes të qytetit, kanosjet e vrasjet ndodhnin pa rënë muzgu. Sepse e keqkuptuar demokracia, e keqpërdorur liria, ulëritëse varfëria, e vrrullshme hapja me botën, e papërgatitur shoqëria, e pasprovuar politika, të brishta institucionet, e pamjaftueshme media, e paformuar shoqëria civile.

Shoqja ime e klasës mbeti e paralizuar nga plumbi qorr brenda shtëpisë së saj, ndërsa shihte programin për fëmijë. Babai i Armandos humbi në malet e kufirit me Greqinë. Motra e Kreuzës përfundoi pa gjurmë në Itali, ku e kish çuar i fejuari. Babi nisi të më shoqëronte në stërvitje, sepse autobusët ishin të pasigurt. Një nga vajzat e ekipit e përdhunuan ndërsa kthehej në shtëpi, dy djem, që zbritën në të njëjtin stacion me të.

Babin e Ingridit e vranë poshtë pallatit, tek hyrja në rifuxhon e katit përdhes për një varëse sermi, që një djalë 15-vjeçar tentoi të vidhte nga tezga e tij, ku shiste i palodhur për të rritur i vè tre vajzat. Gruaja kish vdekur në maternitet, prej mungesës së një aparature.

Dhe Po, çdo kohë ka bartur rreziqet e tmerrshme, sidomos për brezin më vulnerabël, adoleshentët, ata ende fëmijë, por me ngut drejt rritjes, të mësymur nga hormonet. Të kontrolluar a jo, edukuar a jo, të gjithë të ekspozuar ndaj shoqërisë, që jemi e krijojmë në një çast të dhënë.

Sot rrjetet sociale janë kordoni umbelikal, që nuk po dimë si ta hollojmë në raportet me ta. Ushqehet psiqika e tyre e brishtë e një truri të pamaturuar me shfaqje monstruoze, të pacensuruara, kriminale, patologjike dhe lehtësisht të aksesueshme. Pornografi, dhunë, bastarditete e devijime të rënda psiko-sociale janë një klikim larg. Sekuestroja celualarin, Ipad-in, lap-topin, do të gjendet sërish një shok a shoqe në klasë, në shkollë, në kurs, në sport, në rrugë, që do t’ja lehtësojë urën drejt çmendinës virtuale. Nëse nuk i mbushet dita me aktivitete stimuluese, do t’i dorëzohet atij rituali.

Droga bredh e pa sfiduar pranë kangjellave të shkollës. Prindër të çakërdisur, marrosur pas parasë, humbur borxheve, kredive, bixhozit, harruar pijeje, kokaine, ekstazie, marrosur pas dashnoresh për ‘jetë note’, nuk kanë kohë e nerv të komunikojnë me fëmijët. I lënë në celular e i gjejnë në gjumë, ndërsa u prish edhe atë terezi krevati zhurma e lavatriçes që gruaja e gjorë e ka vënë të fundit pas strapacimit me punët ditore, e vetme, e braktisur, e lënë.

Të tjerë i ka plandosur xhelozia e smira, llogaritë e jetës së tjetrit, fotot e luksit të tjetrës, ndërsa përtojnë të punojnë dhe e dinë se ka rrugë të shkurtra, të shpejta, megjithëse të ndyra drejt ‘bereqetit’. E ku ka më kohë për edukim, kultivim vlerash e forcim parimesh, po ç’janë këto ‘thagma’ dështakësh xhanëm?!

Pse të punosh me nder e të presësh rrogën, që s’mjafton, kur mund të bëhesh ‘i zoti’ i vetes si trafikant, vrasës me pagesë, eskortë, patronazhist, propagandist, hajdut, onlyfans, pastrim parash, shtëpi bari, mantenutë…a nuk janë këta ‘të suksesshmit’ e mediave, rrjeteve sociale, muzikës, podcast-eve, videoklipeve muzikore me miliona shikime? A nuk bombardohet me fuqi ‘nukleare’ psikoza e shoqërisë për ta bërë robinjë të bindur të çdo axhende?

Po a nuk u dërrmuan institucionet e arsimit, kulturës, artit e edukimit, shoqëria civile duke ngritur mbi to kultet e degjenerimit, injorancës, dhunës e nënshtrimit? Po pse, çfarë prisnim të prodhonte kjo ‘fabrikë’ e ndryshkur, që qesëndis dijen, moralin, etikën? Po pse, çfarë do çelte ky moçal i qelbur enkas?

Si mundet nga adoleshenca ime tek ajo e sime bije, institucionet e dijes, kulturës, shpirtit të jenë shkërmoqur më rëndë? Nëse kapërcyelli i sistemeve në adoleshencën time prodhoi luftë civile e trandje morale dhe psiqike, si mundet adoleshenca e sime bije të sfidohet edhe më rëndë në kohë paqeje, lirie e demokracie, duke mos u mbrojtur nga asnjë institucion i fortë?

Dhe PO, vrasje e dhunë makabre adoleshentësh i keni lajm të parë në çdo vend, por ndryshimi është tek mënyra si reagojnë shoqëritë dhe ajo strukturë e organizuar prej saj, që quhet shtet.

Më trego për familjen, për shkollën, për policinë, për mediat, për shëndetësinë, për psikologët, për kulturën, për ajrin, për ujin që pi, për rrogat, për rrugët, për diellin, për besimin, për ekonominë, për librat, për kërkimet në google, për pasionet, për kujtimet, për qeverinë, për liderët, për ëndrrat e një shoqërie e do të të them sa Martinë të tjerë 14 vjeçarë do të humbasim nga një thikë, nga një grusht, nga një plumb, nga një vizë, nga një përdhunim, nga një aksident, nga një vetvrasje, nga një braktisje, nga injoranca dhe apatia!

Vrasin kudo adoleshentë, por më të tmerrshme vrasjet ngjajnë në Shqipëri. Sepse jemi programuar për të pranuar të keqen me gjithsej. Për të mbijetuar në kaos. Sepse ujku, dreqi ta hajë, mjegullën do. E ujkun e rrisim po ne. Po, po, ne!