Nga kamarier në pronar i restorantit ku nisi te punonte/ Historia e suksesit të 40-vjeçarit shqiptar në Itali

Nga Gazeta Si- “Nëse do më pyesësh se çfarë kam dëshiruar të bëhem, mund t’ju them se kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime, të kem biznesin tim një ditë”.

Kështu nis të tregojë për Gazetasi.al rrugëtimin e tij 23 vjeçar në Itali, Rinush Meta, 40-vjeç nga fshati Rrushkull i Durrësit me banim në Itali, konkretisht Gallarate, provinca e Vareses.

Ai ishte vetëm 16-vjeç kur bashkë me familjen, 2 prindërit dhe motrën, emigroi drejt Italisë në vitin e mbrapshtë ’97.

Dhe që atë vit e deri më sot, ai nuk resht së punuari.

Unë vij nga një familje që unitetin brenda saj e ka të trashëguar brez pas brezi. Edhe pse isha 16-vjeç, iu bashkova prindërve duke punuar fort për të siguruar jetesën. Prej vitit 1998 deri në 2009 ne punuam fort të gjithë si familje. Unë prej moshës 17-vjeç, nisa të punoj dy punë si prindërit e mi.

Tek njëra punë isha punëtor në një fabrikë dhe pasi mbaroja atje, punoja kamarier në restorantin ku punonte dhe ime mëmë”, thotë Rinushi.

Qëllimi i familjes ishte të hapnin një biznes në Shqipëri dhe në 2009 hapen restorantin në Sukth që shërbente për organizime eventesh, dasma, ditëlindje etj.

Ceremonia e parë në biznesin e ri do të fillonte me dasmën e tij dhe prej 10 vitesh u shndërrua në një prej vendeve më të preferuara në zonë.

Po në Itali?
“Gjithmonë mendoja se do të vinte një ditë që do të kisha një aktivitet timin dhe ku më mirë se në restorantin ku kisha punuar prej moshës 17-vjeç. Unë kisha krijuar raport të mirë me pronarët e mi dhe kur erdhi propozimi për të qenë ortakë nuk refuzova”, thotë Rinushi.

Si e pritën kolegët e tij ndryshimin e raporteve?

Rinushi thotë se të qenit pronar i restorantit nuk i ka ndryshuar karakterin, përkundrazi ndershmërinë dhe korrektësinë i ka vlerë që ja njohin.

“Për mua të qenit dikur koleg me stafin tim, më ndihmoi më shumë sepse unë i njihja mirë. Dija kapacitetet e secilit dhe tashmë unë punoj me ta në restorant, menaxhoj tavolinat, pra udhëheq punën këtu. Madje unë e kam shtuar stafin duke punësuar 7 shqiptarë në biznesin tim”, thotë Rino.

Po klientët?

Rinushi tregon se klientët ishin problemi më i madh i tij në fillimet e punës në biznesin e ri.

“Nga kamarier në pronar, për klientelën nuk ishte e lehtë të pranohesha. Mendonin se si shqiptar do të ndryshonte cilësia, nuk kishin besim dhe frika ime ishte të mos humbja klientët. Por prej 1 marsit 2019 e deri më tani mendoj se e kemi shtuar punën dhe jemi të kënaqur”.

Megjithëse në kushtet e një pandemie që Italinë e goditi më shumë se vendet e tjera në rajon e botë, Rinushi do të vazhdonte punën me besim, duke i paguar 14 punëtorët e tij edhe në kohën kur restoranti ishte i mbyllur.

Punonjësit e restorantit të Rinush Metës. Gazeta Si, 2023.
“Unë kam punuar dhe në kohën kur restorante të tjera rrinin mbyllur. Në vitet 2020-2021 ne punuam delivery duke dërguar menu me porosi në shtëpi. Sepse mendonim që kështu nuk do ta humbnim punën, klientët. E ndërkohë gjatë viteve të pandemisë rikonstruktuam biznesin duke punuar vetë. Kështu kemi rritur punën dhe unë mbaj llogari çdo gjë. Tani që mbaroi viti do të bëjmë bilancet e dy bizneseve në Shqipëri dhe Itali, bashkë me prindërit”, thotë ai.

Rinushi prind dhe bashkëshort është po aq shembullor sa në punë. Ai thotë se përpiqet që fëmijët ti edukojë të duan familjen dhe të mos kërkojnë më shumë gjëra se sa janë mundësitë. Sepse për të, ky ka qenë thelbi i suksesit të tij.

Mbi të gjitha, Rinushi vlerëson bashkëshorten e tij, Jonën, e cila mban peshën e tij në familje kur mungon.

“Pa mbështetjen e saj dhe të familjes nuk do ja dilja. Mbaj dy biznese, 44 punëtorë, sezone të ngarkuara në Shqipëri dhe Itali dhe pa mirëkuptimin e familjes nuk do kisha sukses. Ndaj ata meritojnë mirënjohjen time dhe gjithçka kam, ia dedikoj atyre”, thotë biznesmeni shqiptar Rinush Meta.

Por mbi të gjitha Rinushi mban vath në vesh këshillën e të jatit: Mos kujto se ke arritur çdo gjë, ji me këmbë në tokë dhe mbaje kokën tënde mbi shpatullat e tua”.

Sot, në Gallarate atë e njohin po kaq sa dhe pronarët e tjerë të vjetër të restorantit. Emrin e mirë e ka mbështetur mbi punën e ndershme duke bërë krenar jo vetëm familjen, por të gjithë shqiptarët.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *