Gjatë festave të fundvitit Korça ishte i vetmi qytet që kishte të prenotuara 100% njësitë e hotelerisë. Por tanimë që festat mbaruan gjithkush atje po pret dëborën për rikthimin e pushuesve. Sipas operatorëve çmimet atje janë rritur me 5% ndërsa një ndër shkaqet kryesore është inflacioni i lartë!
Qyteti i Korçës ishte i prenotuar në masën 100% gjatë javëve të fundit të vitit që sapo lamë pas!
Qindra turistë, kryesisht vendas zgjodhën juglindjen për të kaluar festat e fundvitit!
“Ky fundvit ishte me pritshmëri të larta, dhe ashtu u finalizua. Pati një fluks të mjaftueshëm nga turistët vendas, sepse qyteti i Korçës është kthyer në një atraksion turistik për vendasit”, thekson operatorja e një hoteli në Korçë.
“Edhe këtë vit, Korça ka qenë destinacioni i frekuentuar nga plotë turistë vendas dhe të huaj”, shprehet një tjetër operatore.
Por tani më qyteti është boshatisur, dhe veç fundjavave, ditët e tjera janë në vlera minimale turistësh.
Operatorët turistikë thonë se mezi po presin rënien e borës me shpresën se në qytet do të rikthehen vizitorët.
“Pritshmëritë janë që ne presim borën që të zbardhë qytetin e Korçës, apo juglindjen”, thekson operatorja.
Kërkesat e larta, por edhe inflacioni kanë sjellë edhe një rritje të çmimeve që nisin nga 5 për qind.
Kostoja e jetesës në Evropë mbetet ende e lartë, ngadalësohet sërish inflacioni
“Duke iu referuar dhe çmimeve që relativisht operohen në treg në ditët festive, ne mund të themi që rritja ishte rreth 5 për qind, dhe kjo për shkak të rritjes së çmimeve që ne i shërbenim klientëve, por jo se ishte një rritje e bërë nga ne”, shprehet operatorja e hotelerisë.
“Gjithsesi, duke qenë se dhe kërkesa ka qenë shumë e lartë, ndoshta në ndonjë rast mund të ketë pasur dhe abuzime”, thotë operatorja tjetër.
Tashmë që festat mbaruan, të gjithë janë me sytë nga qielli duke pritur flokët e borës, sepse mbetet e vetmja mënyrë që mund të sjellë vizitorë në Korçë në këtë periudhë.