Qyteti i shkretuar! Pamjet e Hasit, ‘Londres se vogel’! Babai i 4 femijeve tregon tme rrin e vu ajtve: Me kane ikur te gjithe, ja si fitohet andej (Video)

Që në momentin e parë që futesh në qytet ndeshesh me një dukuri te veçantë, të rrallë në Shqipëri. Shumica e makinave në Has ishin me krah të djathtë, karakteristikë e mjeteve në Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti regjistron në total 21.700 banorë, ndërsa 5.000 emigrantë i ka të deklaruar. Largimet e para kanë nisur pas viteve ’90, ndërsa kulmin po e arrijnë vitet e fundit. Hasan Shetën e gjetëm duke zier raki. Ai banon i vetëm me bashkëshorten në këtë shtëpi tre katëshe, ndërsa të katër djemtë i ka në Britaninë e Madhe. Dy të parët, u larguan në vitin 1998.

Hasani na tregon diçka interesante. Dikur prej profesionit si profesor matematike në shkollë dhe ish-trajner për ekipin lokal të zonës, i duhej të lëvizte në shumë qytete. Në një nga këto udhëtime, në Burrel dëgjon për herë të parë për rrugën drejt Britanisë. Ai thotë me humor, se edhe pse thuhet se hasianët futën në vend trendin e largimeve drejt Britanisë, sipas tij, kanë qenë qytetarët nga Burreli që ia kanë mësuar këtë rrugë.

“Kanë ikur për një jetë më të mirë, shkollim më të lartë. Janë dy që kanë ikur, po bëjnë 22 vite. Punojnë atje, janë martuar kanë familje. Dy të tjerët kanë shkuar më vonë, kur panë që këto punuan dhe u shkolluan, këto kanë 12 vite që kanë shkuar. Kam 4 djem atje. Atë që kanë lënë mangët me shkollim në Shqipëri e kanë plotësuar atje dhe janë shumë mirë.

Nuk janë të zhgënjyer për atë që kanë bërë. Me shembullin e tyre kanë tërhequr njerëz. Unë isha me ekipin e futbollit në Burrel, atje mësova që kishte rrugë për në Angli. Ishte një vajzë atje që kishte këtë rrugë. Thonë që hasianët janë të parët që kanë shkuar, por jo, ne këtë e mësuam nga Burreli. Isha me ekipin e futbollit atje, kur mësova për herë të parë. U konsultuam me një vajzë, ajo na foli për Anglinë. Nisa bashkë me një grup djemsh edhe djalin e madh. Kështu filloi tranziti. Këto kanë shkuar dorë pas dore. Fillimisht shkonin në Vlorë dhe largoheshin me gomone. Një djalë I imi ka shkuar tre herë në Angli dhe tre herë është kthyer. Të parët që shkuan shteti anglez i ka përkrahur”, tregon Hasani.

Mjaft shqetësuese për të janë pamjet e tr shta të shqiptareve që largohen me gomone, të transmetuara gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Hasani thotë se disa të rinj zgjedhin rrugën e shkurtër për t’u pasuruar në Britani, nëpërmjet shtëpive të barit. Ai bën thirrje që të hiqet dorë nga kjo rrugë, që siç thotë, nuk është zakon shqiptarëve, që njihen ndër breza si njerëz të ndershëm e të besës.

“Gomonet janë shumë të rr zikshme. Sidomos tani që është rruga më e largët, sepse ikin nga Spanja, Portugalia dhe distance në det është tepër e largët. Na kapin ethet kur i shohim në gomone. Kjo është po ika shpëtova mirë, po nuk shpëtova jam në mëshirë të zotit. Është edhe ana tjetër, I rrit, I shkollon dhe ia çojmë Anglisë së gatshme. Ka shumë nga ata që fillojnë e joshen për një pasurim të shpejtë dhe shkojnë në rrugë jo të mira, siç po flitet shtëpia e barit, këto që shqiptari s’i ka pasur zakon asnjëherë. Njihemi për burra të besës, trima, njerëz që mbajnë fjalën, futen në disa rrugë që djemve tanë nuk u takon që të jenë të tillë”, rrëfen i moshuari.

Dy të moshuar në katin e parë, dy në katin e dytë dhe dy në katin e tretë. Kështu e përshkruan profesori i matematikës, Isuf Sefolli gjendjen në shtëpinë e tyre tre katëshe, që e ndan së bashku me vëllezërit. Djalin e vetëm së bashku me vëllezërit e nipërit i ka në Angli. Ekonomia e ulët, ishte arsyeja që ata zgjodhën të braktisnin Hasin. Çdo familje në Has ka njerëz në emigracion. Ndër faktorët kryesorë është varfëria, papunësia që ka pllakosur vendin. Familja ime përbëhet nga 6 vëllezër, tre prej tyre ndodhet në Londër. Atje janë integruar në jetën civile të Londrës, kanë gjetur vetveten dhe gjenden mirë. Unë kam djalin në Angli. Me bë një dasmë nuk mbledhim 30 % me ato që janë në Londër”, tha Sefolli.

Si një profesor matematike në gjimnazin e qytetit, ai tregon të dhëna për largimet e të rinjve. Vetëm Brenda një viti sipas profesorit, janë larguar 60 nxënës në klasat e 12. Kjo ka ndodhur kryesisht vitin e fundit, ku çmimi i lirë i udhëtimit me gomone drejt Anglisë ka joshur më shumë të rinjtë e këtij qyteti.

“Unë jam profesor në Gjimnazin Skënderbeu. Atje e shoh, vera e sapo kaluar ka ulur numrin e nxënësve. Kanë kaluar me gomone, sepse janë më të lira, këtë verë ka bum largimesh. Vetëm në vitet e 12 numërojmë 50-60 të larguar. Kjo pamje është e trishtë, e frikshme, nuk e përshkruaj dot. Duke pa mosha të reja me gomone, janë pamje të trishta. Ne ndjejmë shumë dhimbje e në mënyrë të vazhdueshme bëjmë thirrje që me marrëveshje shtetërore të bëhet punësimi sezonal, që t’i jepet fund eksodit”, shprehet profesori.

Ndonëse 16 vjeç, por me pjekurinë e një të rrituri, Armand Shema tregon gjendjen e gjimnazit ku bën mësim. Armandi rrëfen se 500 nxënës janë larguar së fundmi kryesisht drejt Britanisë, ndërsa mbi 10 klasa qëndrojnë të mbyllura. “Quhem Armand Shema, jam në vit të parë. Kanë qenë mbi 900 nxënës, tani janë 400 e ca. Të rinjtë ikin në Evropë, në Angli. Shokët e mi kanë ikur, vetëm 5 shokë kam. Ne luanim në kalçeto, po tani s’i mbledhim shokët, nuk ka”, tregon 16-vjeçari.

Armandi rrëfen historinë e vëllait të tij, që ka tentuar disa herë që të largohet me gomone drejt Anglisë, po është kapur nga forcat e huaja policore. Sipas rrëfimit të vëllait të Armandit, një rrugëtim i tillë është një tmerr i vërtetë. “Vëllai im e ka provuar, ka qenë duke u mbytur në gomone. Gomonia e fikur për 14 orë e ka shpëtuar policia e Francës. Dua të rikthehemi, që të ringjallim Shqipërinë tonë”, shprehet plot pasion i mituri. I mituri, ka një formë tejet origjinale për të përshkruar braktisjen e qytetit. “E shikon atë shpinë (tregon me duar), e kanë bërë për nam, se asnjë nuk jeton kanë ikur”, rrëfen Armando.

Gjatë një shëtitje në qytet, hasim shumë fytyra të zemëruara, disa nga papunësia dhe gjendja e vështirë që ka pllakosur vendin, e disa të tjerë, të trishtuar nga largimi i të afërmve dhe miqve.
“Largohen për një jetë më të mirë, këtu s’ka jetë. Këtu janë kushtet skandal. Mbaron shkollën e lartë s’ka punë, çmimet janë shtrenjtë, ca do të bëjnë këtu. Ikin me gomone, me sakrifica, për jetë më të mirë. Çuni im është larguar, ka qenë punë në Tiranë, s’i ka dalë paga dhe iku pa më thënë. Më merr malli për djalin. Kur shohim pamjet me gomone trishtohemi. Shqipëria është vendi më I mirë në Evropë po e ka katandis politika”, tha burri.

“Për kafshatë të gojës kanë ikur. Në Angli, Gjermani. Ata detyrohen të vendosin jetën në rrezik për një kafshatë bukë. S’është e mirë asgjë, detyrohen njerëzit të ikin për kafshatë buke. Qeveria të hapi vende pune e të rrisë pagën, qeveri kot. Fajtori është qeveria”, u shpreh qytetari.

“Ekonomi s’ka, pse mos u largu. Janë duke rreziku jetën për një jetë më të mirë. Ikin më shumë në Gjermani dhe Angli. Ikin në Angli me gomone, duke rrezikuar jetën. Kemi krejt familjarët që janë nisur edhe me familje, leje më të rinjtë. Kanë rrezikuar jetën vetëm me ik nga ky vend, është bosh qyteti. Më para ka pasur më shumë rini, 500 vetë kanë shkuar brenda këtij viti, ndoshta dhe më shumë, arsyet janë ekonomike. Fajtorë për ketë është shteti”, tregon i riu.

Rrugës u ndeshëm edhe me një emigrant të kthyer në shtëpi për festat. Ai tregon se jeton dhe punon në Greqi dhe se cilat ishin arsyet reale të largimit.
“Punoj në hoteleri turizëm në Greqi. Ika për arsye ekonomike, kam të afërm që janë larguar, të gjithë. Shumica ikin në Angli. Po shoh ndryshim, që në moshën time kemi emigruar 15 vjeç atje ka vazhduar mosha e largimeve. I them të rinjve të kujtojnë atdheun”, rrëfen emigranti.

Në një moment, u rikthyem në realitetin shqiptar, ku një i ri, rrëfeu se e ka të vështirë të përballojë jetesën. Ai thotë se merr një ndihmë ekonomike prej 10 mijë lekësh, ndërsa nuk përjashton mundësinë që edhe ai të largohet, si shumica e shokëve të tij.

“Edi Rama kryeministri i Shqipërisë rriti ushqimoret, miellin, sheqerin, vajin, ata bëjnë mirë që kanë ikur në Londër. Kanë ikur krejt, të gjithë njerëzit kanë ikur. Jam veti I 5 me një dhomë, jetojmë me 100 mijë lekë të vjetra. Me pas mundësi unë largohem, jetoj veti 5 me një dhomë, e kam të vështirë të përballoj jetesën”, thotë kryefamiljari.

Zhvendosemi 6 kilometra nga qyteti i Hasit, për në fshatin Golaj. Abdyl Kastrati është ndër të paktët banorë që kanë zgjedhur të mos braktisin fshatin. Ai merret me blegtori e bujqësi, ndërsa thotë se qeverisja aktuale, detyruan të birin të shkonte me gomone drejt Anglisë, në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme.
“Vllahin këtu ka mbetur vetëm mosha e tretë. Gjys për gjys. Na vjen zor se rrezikojnë jetën. Ka shkuar djali im me gomone, më ka thënë që inshallah se bëj më të hipi atje, edhe sikur me më vra. Edhe shteti ka faj, s’ka siguruar punë”, shprehet Kastrati.

Udhëtimet me taksi nga Irlanda, me kamionë, jahte e së fundmi gomone, janë disa nga mënyrat që emigrantët shqiptarë zgjedhin për të shkuar drejt Britanisë. Më shumë se 12 mijë nga 40 mijë emigrantë që kanë shkuar në Britani përgjatë këtij viti kanë qenë shqiptarë, nga 800 rreth një vit më parë. Mediat e huaja kanë ngritur një tjetër problematikë. Ato shkruajnë masivisht se Shqipërisë po i largohen të rinjtë, edhe ato profesionistë, kryesisht mjekë. Mediat kanë renditur disa arsye, mbi të gjitha, keqqeverisjen. Ato nënvizojnë se Shqipëria drejtohet nga një qeveri kleptokrate dhe se korrupsioni në vendin tonë, i ka shtrirë tentakulat në shumë sektorë. Mediat ndërkombëtare flasin edhe për aktivitetin e disa prej shqiptarëve që shkojnë në Britaninë e Madhe. Shumë prej tyre, thonë mediat, rekrutohen në botën e krimit, me mafien shqiptare sipas tyre që po fiton mjaft terren.

Veç bukurive natyrore, Hasi është i pasur me resurse nëntokësore, në veçanti, me kromin. Minierat e Golajt e Vlahenit nxirrnin në ditë qindra kg krom. Por studiues gjeologjikë vlerësojnë se nëntoka e Hasit ka përmbajtje të hekurnikelit e nikelit. Por edhe tokat pjellore, relievi e klima e pastër, mund të hapë një perspektivë të re për të rinjtë e këtij qyteti, me vullnetin e mirë nga politika dhe të gjitha instancat përkatëse, për të investuar në këtë vend të bekuar nga Zoti.

(BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *