“E trishte! Dimri i madh i çmimeve” ka mbërritur në Tiranë, gjalpi shitet me 17 mijë lekë kilogrami

“Në kaq shumë vite punë, nuk e mbaj mend herën e fundit kur blerjet e qytetarëve në tregjet me pakicë ishin aq të pakta”. Kështu thotë për Gazetasi.al Viktor Kondatçiu, referuar krizës së çmimeve, një tregtar që shet në krye të tregut te ish-Uzina Dinamo, aty ku ditët tashmë duken krejt pa humor me blerjet e vakëta. Shtrenjtimi i çmimeve po vazhdon zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë e deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët.

Ndonëse ushqimet janë kategoria që prej më shumë se një viti po mban gjallë inflacionin, në vend të konsumit, po rriten çmimet. Që në krye të herës, fillimi i luftës në Ukrainë paralajmëroi që tregjet globale do të prekeshin nga një ‘dimër i madh çmimesh’, me rritje të vazhdueshme që do të rëndonin xhepat e konsumatorëve. Dhe për këta tregtarë, ky “dimër” mbërriti që në tetor. Kondatçiu thekson për Gazetasi.al se blerjet prej shumë kohësh vijojnë të jenë të ulta, me njerëzit që kalojnë andejpari vetëm për perimet më të domosdoshme.

“Prodhimi i pakët vendas i ka mbajtur të larta çmimet e fruta-perimeve. Nga ajo që shohim çdo ditë, qytetarët janë në krizë. Ritmet e blerjes kanë ardhur vetëm në ulje dhe të njëjtën ecuri parashikojmë edhe për festat e fundvitit”, vijon mandej ai. Thuajse të njëjtën gjë, pohoi për Gazetasi.al edhe një tregtar tjetër i cili shtoi se është krejt pesimist për fitimet që pritet të marrë gjatë festave.

Nga ana tjetër, konsumatorët ndihen krejt të pambrojtur karshi kësaj rritje çmimesh. Tregjet e pakicës në kryeqytet janë lajmëruar nga grosistët se gjatë dhjetorit do të ketë një rritje të mëtejshme çmimesh kryesisht për bulmetin dhe mishin e nënproduktet e tij. Kjo valë e re do diktohet edhe nga kërkesa e shtuar në treg nga emigrantët që pritet të rikthehen për periudhën e festave.

“Kuzhina shqiptare është e bazuar te mishi, ndaj konsumi i tij pritet të rritet ndjeshëm edhe nga rritja e numrit të vizitorëve. Por reduktimi i prodhimit dhe kjo kërkesë më e madhe nga restorantet do ndikojë shpejt në rritjen e çmimeve”, tha për Gazetasi.al një tregtar mishi. Gazetasi.al tha se që tani çmimi i gjalpit në supermarketet shqiptare është rritur 30-35% duke arritur në 1700 lekë/kg nga 1200 lekë që ishte në tetor.

“Në dhjetor mund të ketë sërish një rritje të lehtë çmimesh për shkak se atëherë janë edhe përgatitjet më të mëdha për bakllavanë, për të cilën gjalpi është ingridient kryesor”, tha një tregtar.

Edhe produktet e tjera të bulmetit kanë ndjerë rritje, kryesisht gjiza edhe djathi. Kjo për shkak të rënies së numrit të krerëve të bagëtive, shtrenjtimit të kostove, energjisë e gazit. Në buletinin e tetorit ku inflacioni arriti nivelin 8.3%, INSTAT raportoi se brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 24.3 %, “bukë dhe drithra” me 17.1%, “mish” me 12.4 % dhe “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 11.8 %. Prodhuesit dhe tregtarët vendas thonë për Gazetasi.al se janë të shqetësuar se, ndërsa do vazhdojnë të furnizohen me çmime shumë të larta, në tregun e brendshëm do vijojë të ushtrojë presion ulja e konsumit./GazetaSi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *