E fundit! Dëshmia e Silva Turdiut: Si u ndava me djalin e Mehmet Shehut

Fejesa me Skënder Shehun ka zgjatur vetëm pak javë, ka dëshmuar para hetuesve në procesin e Kadri Hazbiut Silva T. Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në ditët e fillim shtatorit ’81.

Panorama” shkruan sot se në datën 5 shtator, ajo është nisur në Greqi me ekipin e të rejave. Për ta shoqëruar ka shkuar dhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha.

Më pas, ai do të vazhdonte rrugën në Suedi ku ishte duke kryer studimet. Para nisjes, i ka takuar te pallati i sportit “Partizani” ish-ministri i Brendshëm, Feçori Shehu, dhe i ka uruar për fejesën.

Dy ditë më parë, një gjë të tillë ka bërë dhe Enveri me të shoqen, në shtëpinë e kryeministrit.

Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy. Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë, Skënderi kishte thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte disa gjëra serioze vetëm për vetëm me të.

Ashtu ishte bërë.

Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, truprojës së kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta. Skënderi i kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa probleme të koklavitura në biografinë e familjes së saj.

Silva kishte reaguar duke i thënë se ju i dinit ato gjëra më parë. Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës, djali i xhaxhit të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”. Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që fejesa të prishej.

Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist mund të përjashtohej nga Partia.

“Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”, dëshmonte Silva.

Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri. Një makinë i ka thënë rrugës se i priste Fiqretja te shkolla e Partisë.

Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe Qazim Turdiu kishte shkuar vetëm në takim. Kur ishte kthyer në shtëpi Qazimi, kishte thënë se Fiqretja i kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën ata “nuk e dinin më parë”. Që këtej, fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar, jo vetëm për ish-volejbollisten, por edhe për djalin e ish-kryeministrit. / gazetatema

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *