As me kondicioner dhe as me sobë druri, Albin Kurti tregon me çfarë ngrohet në shtëpi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi ynë është duke u përballur me krizë energjetike. Në një konferencë për media, Kurti u pyet nga gazetarët se me çka po ngrohet, teksa tha se ai mbrëmë në shtëpinë e tij është ngrohur me batanije.

“Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije, por shpresoj kjo pyetja juaj dhe përgjigja ime nuk do të bëjë që nesër deputeti Bekim Haxhiu ta organizojë një konferencë për media”, ka thënë Kurti.

Kurti gjatë konferencës ka kritikuar edhe qeveritë e kaluara se nuk kanë investuar por kanë vjedhur nga KEKU. “Ishte me leverdi të vidhej nga KEKU, se sa të investohet. Ne jemi në krye të detyrës, shtetin e kemi gjetur për toke por do ta ngrisim në këmbë”, pohoi ai.

Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar për situatën e vështirë energjetike në vend. Pacolli në Facebook ka  shkruar se një termocentral që prodhon energji elektrike me bazë gazi si lëndë djegëse do të ishte zgjidhja.

“Në vitin 2007/2009 kemi pasur investitorë potencialë për gazifikimin e linjitit tonë (prodhimi i gazit nga linjiti) dhe më tej ndërtimin e një termocentrali me gaz, prej 550 mgw. Për këtë propozim në atë kohë më akuzuan hapur se dua të dëmtoj resurset e Kosovës dhe thanë se linjiti është lënda jonë e parë e përhershme. Askush nuk më besoi se linjiti i pa transformuar nuk mund të përdoret në të ardhmen. Më vjen keq që në atë kohë askush nuk më erdhi në ndihmë për të mundësuar realizimin e këtij projekti, e tani duket se çmimi i energjisë po rritet në mënyrë të pakontrolluar”, ka shkruar Pacolli.

Kryeministri Kurti në një paraqitje për media ka bërë të ditur se tashmë kanë kërkuar nga presidentjaVjosa Osmani dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes për një kredi.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*